Kuçi si Toskana/ Shpejt qytetarët do të shkojnë me rrugën e re dhe do të mahniten me bukuritë përrallore

 

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kuç, në një majë të bekuar të Labërisë, ku shpejt qytetarët do të shkojnë me rrugën e re dhe do të mahniten me bukuritë përrallore.

Fillimisht Kryeministri u prit me këngë nga grupi polifonik i zonës, ndërsa u kërkoi banorëve të mbledhur të respektojnë masat kundër COVID dhe të mos grumbullohen sepse tha Rama, “nuk jemi për infektime”.

“Ja dhe pak mbarojmë këtë rrugën tani. Kjo është parajsë”, tha Rama, ndërsa pyeti banorët se sa janë rritur çmimet e tokave dhe të shtëpive.

Rama theksoi se “kjo zonë brenda kësaj dekada do të jetë një destinacion si Toskana në Itali”.

“Do vijë dynjaja këtu për zjarrin, për mishin, për rakinë, këngët, për këtë ajër fantastik, për këto peizazhe të jashtëzakonshme, do të kënaqet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “tani mbetet projekti i sheshit, me pak finacim që të rregullojmë edhe godinat dhe ti kthejmë në terezi se këto janë bërë me kursime gjaku në një vend ku ju i pini rakinë njeri-tjetrit se nuk vijnë turistë këtu”.

“Gjatë rrugës janë disa kapanone të ushtrisë të rrënuara. Ato duhen marrë dhe duhen futur në programin e turizmit si në Valbonë, në Theth, në Korçë dhe të bëhen si rrjet, si stacione, si hane me disa dhoma dhe me kuaj, me ushqim dhe të shohësh si bëhet aty”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.