Kryemadhi nga njësia 8 në Tiranë: Do dëmshpërbejmë çdo qindarkë në zonat informale dhe do t’ju dalim për zot legalizimeve

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një takim sot me banorët e Njësisë nr. 8 në Tiranë siguroi gjithë qytetarët e zonave informale, që “jo vetëm do t’i dëmshpërblejmë për çdo qindarkë, por do tu dalim për zot legalizimeve të tyre”.

“Jo vetëm qytetarët e Tiranës, por kudo, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë, në Durrës, në Lushnje, në Fier, në Korçë e kudo. Sepse historia e legalizimeve në Shqipëri është bërë ‘një përrallë nga e kaluara’. Është bërë një përrallë që ka mbi 15 vjet që diskuton dhe qarkullon mbi një ligj ku thuhej ‘legalizim’ dhe pastaj ‘urbanizim’ dhe rilindja e ndërroi ‘urbanizim’ dhe pastaj ‘legalizim’”, tha Kryemadhi.

Ne, tha ajo, “duhet të kthejmë djemtë dhe vajzat shqiptare në Shqipëri”. “Jam e bindur që energjia e të rinjve dhe të rejave tanë, të cilët janë pjesë e listës fituese të LSI-së nuk është gjë tjetër veçse energjia e popullit shqiptar, të cilët duan të bëjnë ndryshimin më 25 prill, sepse ndryshimi nuk është flamur politik, por është integrimi evropian i Shqipërisë dhe përfundimi njëherë e përgjithmonë i tranzicionit, i cili i ka lodhur Shqipërinë, shqiptarët dhe familjen shqiptare”, shtoi Kryemadhi.

Për ne, tha ajo, “ka rëndësi të jemi të gjithë bashkë, të ndryshojmë këtë realitet të hidhur dhe të çojmë përpara ëndrrat e fëmijëve të shqiptarëve për të qenë qytetarë europianë, ashtu sikurse kanë ëndërruar gjithmonë”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.