Ish-kryetari i bashkisë së Kuçovës Selfo Kapllani largohet nga LSI, i bashkohet Partisë Socialiste

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ish-kryetari i bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani, i propozuar në këtë detyrë nga LSI, i është bashkuar sot Partisë Socialiste.

Në takimin me themelues të PS-së Kuçovë, ku ishin të pranishëm kandidatët Blendi Klosi dhe Bardhyl Kollçaku, ish-përfaqësuesi i LSI-së Kapllani tha se “Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që e ka dëshmuar veten si forca më e emancipuar dhe më avangarde e politikës”.

Kapllani theksoi se i bashkohet Partisë Socialiste si shumë ish-funksionarë të tjerë të LSI, me bindjen e plotë se është e vetmja forcë e progresit dhe partia transformuese e vendit.

“Duhet sens qytetar e përgjegjshmëri nga të gjithë për të kuptuar çfarë ndodh nëse nuk fitohet ky mandati i tretë. Në krahun tjetër kemi një spektër politik që nuk ofron asnjë lloj besimi,jo vetëm për votuesit e majtë por edhe për të gjithë qytetarët”,- nënvizoi Kapllani.

Ai tha se do të japë kontributin e tij për të arritur objektivin për marrjen e 5 mandateve në qarkun e Beratit, për të arritur një fitore do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve për të garantuar vijimin e reformave të nisura./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.