IRLANDA E VERIUT – Martin: Të parandalojmë kthimin në epokën e errët të përçarjeve

BELFAST, 10 prill /ATSH-AFP/ – Kryeministri irlandez, Micheal Martin paralajmëroi kundër një “spiraleje” dhune që kërcënon paqen në Irlandën e Veriut, pas dhjetë ditësh trazirash në një klimë tensionesh të përkeqësuara nga Brexit.

“Ne kemi një detyrë, për brezin e marrëveshjes dhe për brezat e ardhshëm, që të mos hyjmë në një spirale që do të na kthente në epokën e errët të vrasjeve sektare dhe përçarjes politike”, paralajmëroi Martin në një deklaratë.

Dita e sotme shënon 23-vjetorin e Marrëveshjes së të Premtes së Shenjtë 1998 që i dha fund tri dekada të përgjakshme midis Republikanëve, kryesisht katolikë në favor të ribashkimit me Irlandën dhe Unionistëve Protestantë, mbrojtës të zjarrtë të anëtarësimit në Britaninë e Madhe, ku mbetën të vrarë rreth 3 500 persona.

Prej disa ditësh, provinca britanike është tronditur nga një dhunë e padëshmuar prej disa vitesh, veçanërisht në zonat besnike me një shumicë protestante, ku pasojat e largimit nga BE kanë ushqyer një ndjenjë tradhtie dhe hidhërimi./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.