Gjiknuri: Vlora qendra më e madhe e zhvillimit dhe pol i investimeve në turizëm

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri kërkoi sot votën për PS-në, “që ta bëjmë Vlorën qendrën më të madhe të zhvillimit dhe polin më të madh të investimeve në turizëm”

Në një takim elektoral nga qendra historike e Vlorës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Gjiknuri vlerësoi vizionin e kryeministrit për zhvillimin e Vlorës.

“Kemi mes nesh njeriun që e nxori në dritë Vlorën. Në ka një gjë të vërtetë është që Edi Rama i dha peshë dhe dinjitet Vlorës dhe e ktheu Vlorën në qendër të zhvillimit dhe vëmendjes, ndaj meriton respektin e vlonjatëve”, tha Gjiknuri.

Ai kërkoi që të votohet pro zhvillimit të Vlorës, pro projektit politik dhe ekonomik që ka zgjedhur Edi Rama për Vlorën.

“Ta bëjmë Vlorën qendrën më të madhe të zhvillimit dhe polin më të madh të investimeve në turizëm. Nuk po flasim për ëndrra, kjo po bëhet realitet. Sot ishim në Kuç ku lidhet rruga nga Labëria e thellë, Tepelena me atë që shkon për në bregdet. Kush i imagjinonte ndonjëherë këto vepra para disa vitesh. Kjo do të thotë se Vlora do të bëhet qendra më e madhe e investimit dhe e zhvillimeve në Shqipëri dhe këtë e solli vizioni politik i Edi Ramës dhe vlonjatët i ka bërë krenarë me këtë”, tha ai.

“Të votosh për Vlorën do të thotë të votosh për një aeroport të ri, për një port tregtar të ri, për tunelin e Llogarasë, për rrugën Delvinë-Kardhiq, për rrugën e Lumit të Vlorës. Për të gjithë këto projekte të nisura, përfshirë edhe projektin e fundit Peshkëpi-Selenicë që fatkeqësisht, ai që quhet President i Republikës u mundua ta bllokojë për arsye politike, për ta future në përçarje Vlorën. Vlora ka vujatjur nga dhuna dhe di shumë mirë çdo të thotë konflikt civil. Vlora për herë të parë ka një perspektivë dhe të ardhme”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.