E premtuar 100 vjet, rruga e Lumit të Vlorës një motor i ri për ekonominë e turizmit shqiptar


TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ “E premtuar 100 vjet, rruga e Lumit të Vlorës po bëhet gati për t’iu zbuluar shqiptarëve e turistëve një thesar të fshehur të parajsës natyrore të Shqipërisë”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa inspektoi ecurinë e punimeve në këtë aks të rëndësishëm për jugun e vendit.

Rama tha se “lidhja e majave të Labërisë me Jonin në perëndim e me Gjirokastrën, Tepelenën e Përmetin në lindje, i shton një motor të ri super efikas ekonomisë së turizmit shqiptar”.

“Jemi shumë, shumë të lumtur që po zbulojmë një copë parajse të Shqipërisë që ishte plotësisht e panjohur. Por jo vetëm kaq, me këto dy rrugë të ëndërruara prej 100 vitesh nga njerëzit e këtyre zonave, të premtuara denbabaden edhe nga vetë sekretari i parë i asaj kohës së largqoftit dhe pastaj nga gjithë të tjerët, po krijojmë një pellg komplet të ri për turizmin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “po krijojmë një hapësirë komplet të re që i shtohet hapësirës turistike të Shqipërisë, një platformë absolutisht fituese për ekonominë rurale, agroturizmin, diversifikimin e portofolit tonë turistik, duke bërë të mundur që Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, bregdeti i Jonit dhe majat e Labërisë të jenë brenda një oferte të vetme”.

“Me rrugën e re që tanimë është në fazën e procedurës kontraktuale nga Erseka në Përmet dhe me Kolonjë-Korçë që përfundon vitin e ardhshëm kemi të gjithë jugun e Shqipërisë të lidhur në një kohë shumë të shkurtër”, tha Rama.

Ai theksoi se “gjatë sezonit, turistët që vijnë poshtë në breg mund të kalojnë dhe në krahun tjetër dhe gjatë gjithë vitit këtu të ketë jetë, turizëm, ekonomi dhe të gjitha produktet e kësaj zone të vihen në shërbim të ofertës tonë turistike”.

Në rrugën e Lumit të Vlorës, loti 2 mund të konsiderohet i mbyllur, ndërsa në lotin 3 ka kohë që kanë filluar punimet që janë hapur gati në 80% të tyre.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.