Basha në Maqellarë: Këtë entuziazëm ta çojmë derë më derë

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur në qytetin e Maqellarës në turin e takimeve me qytetarë dhe biznese.

Kryedemokrati u bëri thirrje të gjithë dibranëve t’i bashkohen ndryshimit që t’i hapet rruga mirëqenies dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ju ftoj që këto ditë që na ndajnë nga 25 prilli, këtë entuziazëm, këtë besim ta çojmë derë më derë, në fshatin më të largët, ta çojmë shtëpi më shtëpi, familje më familje që kërkojnë rrugën e shpresës, rrugën e ndryshimit. Të gjithë ata që tetë vite me radhë u kërrusën, u gjunjëzuan e humbën besimin tek vetja e tyre. Ora e ndryshimit po afron për të gjithë ju, bashkë për ndryshim. Maqellara fiton, Dibra fiton, Shqipëria fiton” – tha Basha.

Gjatë ecjes në qytet, Basha është ndalur nga pronar biznesesh të vogla, ku ka dëgjuar problemet që kanë me taksat, çmimin e karburantit dhe energjisë elektrike. Basha tha se ndryshimi më 25 prill do të thotë ulje e taksave, uljen e karburantit dhe energjisë elektrike.

“Serboratorët i mbushin dibranët në Maqedoni, kuksianët në Kosovë. Më 25 Prill të votojmë të gjithë për ndryshimin dhe ndryshimi do të ndihet kudo. Një nga fushat kryesore do të jetë kostoja, kostoja e prodhimit, nafta, energjia, ulja e taksave, heqja e terrorit të administratës tatimore. Do t’ju bëj, në radhë të parë, të ndiheni të çliruar nga ana psikologjike dhe nga ana e dytë do të ndez prapë besimin dhe motorët e ekonomisë. Se vetëm kështu vjen konsumi, forcoheni ju, forcohet biznesi i vogël, forcohet Shqipëria”, tha Basha./j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.