Basha në Dibër: 25 prilli, dita për t’ja mbyllur derën të keqes dhe t’i hapet rrugë ndryshimit

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Kryetari i PD, Lulzim Basha, ndodhet në qytetin e Peshkopisë ku ka zhvilluar turin e takimeve me qytetarë.

Në fjalën përshëndetëse, Basha tha se për 8 vite Dibra ka qenë peng e bandave që kanë shkatërruar ekonominë e familjeve dhe ka larguar mijëra të rinj.

Ai tha se 25 prilli është dita për t’ja mbyllur derën të keqes dhe t’i hapet rrugë ndryshimit.

“Vite me radhë kam qenë në mesin tuaj dhe kurrë nuk më ka munguar mbështetja, respekti, dashamirësia juaj, por si asnjëherë më parë nuk e kam parë këtë shesh të mbushet me shpresë dhe merr vendimin e zgjuar të banorëve të mençur të Dibrës, për t’i prirë ndryshimit më 25 prill! Shqiptarët, dibranët kanë kaluar 8 vite të vështira! Një dimër 8 vjeçar  mbushur me vuajtje, me padrejtësi, me ankth dhe papunësi, emigracion të nxitur nga një ekonomi të shkatërruar nga qeveria dhe kryeministrin e ikjes”, tha Basha.

Ai shtoi se “këto 8 vite ne kemi qenë bashkë për t’i bërë ballë bashkë dhe për të kundërshtuar bashkë lakmitë, zullumet, padrejtësitë që kanë rrënuar ekonominë e Dibrës dhe të Shqipërisë”.

“Nuk jemi mbledhur këtu për të shkuarën, por për të ardhëm të cilës do i primë më 25 prill. Sepse ai dhe ata që e morën peng Shqipërinë dhe Dibrën, ai dhe ata që morën peng ekonominë tuaj, mirëqenien tuaj, arsimin dhe shëndetësinë, ata janë një pakicë absolute që i kanë orët dhe ditët e numëruara. E ardhmja është Dibrës dhe e gjithë dibranëve! E ardhmja është e Shqipërisë dhe e çdo shqiptari. Të bashkohemi si në këtë shesh kudo ditë për ditë e natë për natë, të jemi ne korrierët e ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar”, u shpreh Basha.

Kreu i PD, deklaroi se “së shpejti do ta rimarr vendin që i ka takuar prehistorisë dhe mençurisë dibranëve në çdo fushë, duke nisur me rihapjen e filialit të Universitetit këtu në Peshkopi. Me të drejt është krenari kombëtare e mençurisë që siç e tha dhe një nga intelektualët më të shquar dibranë, Dibra ka qenë universitet para se të kishte universitet, e pra, do ta kthejmë  prapë universitetin”.

“Së bashku t’i prijmë ndryshimit që kërkon Dibra dhe gjithë Shqipëria. Ndryshimi në ekonomi, për sipërmarrësit e vegjël, për investimet huaja, në arsim dhe në shëndetësi, për fermerin duar artë dibranë dhe prodhimet e tij. Ndryshimin që prisni nga unë dhe ekipi im, ndryshimi që meritoni, Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.