Basha në Bulqizë: Brenda 6 muajve të parë miratojmë statusin e minatorit sipas standardeve europiane

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në turin e takimeve në verilindje të Shqipërisë, është ndalur edhe në qytetin e Bulqizës ku ka përshëndetur qytetarët dhe simpatizantët. Basha falënderoi bulqizakët për mbështetjen dhe shprehu zotimin se qeveria e tij do të miratojë statusin e minatorit sipas standardeve dhe parimeve europiane.

“Tragjedia e minatorëve anembanë vendit, tragjedia e minatorëve në veçanti, por edhe atyre të Munellës, të Pukës, atyre të Pogradecit, e naftëtarëve të Ballshit dhe e fëmijëve të tyre do të përfundojë. Ndaj, kam ardhur sot këtu me vetëdijen e plotë për të shpallur dhe për të bërë të njohur një nga objektivat kryesor të qeverisë time në fushën e energjisë dhe e burimeve minerare. Brenda 6 muajve të parë qeveria ime do të miratojë statusin e minatorit sipas standardeve dhe parimeve europiane. Kjo është më e pakta, detyrimi më i vogël për sakrificën tuaj por edhe të fëmijëve tuaj për shkollimin e tyre, për sigurimin e jetës tuaj”, u shpreh Basha.

“Jam i vetëdijshëm për peshën e këtij premtimi, të këtij zotimi, dhe ndaj dua t’iu them atë traun e Rrugës së Kombit që do ta heqë ditën time të parë si kryeministër ta vendosni në këtë rrugë në qoftë se nuk e mbaj premtimin para jush. Sepse unë besoj se detyra e parë e atij që kërkon votën për të qeverisur është të mbajë zotimet sepse detyra e qeverisë dhe kryeministrit është të kujdeset për njerëzit. Ndaj kam ardhur këtu të zotohem para jush se statusi i minatorit një e drejtë themelore e minatorit shqiptarë do të jetë i garantuar me Partinë Demokratike dhe me qeverinë tonë të ardhshme”, tha Basha.

“Nuk shkohet në Europë me rroga të ulëta, nuk shkohet në Europë me shëndetësi të rrënuar, nuk shkohet në Europë pa respektuar punën, nderin dhe njerëzit e punës, minatorë apo fermerë, profesionistë apo biznes i vogël. Në Europë shkohet duke arritur standardet, duke thithur investimet, duke rritur pagat, duke mundësuar arsimimin e duhur të fëmijëve tanë, duke i garantuar atyre një të ardhme këtu, në vendin e tyre dhe jo duke i përzënë në emigracion”, vijoi Basha.

Basha në Peshkopi: 100 milion euro subvencione për fermerët, 50 milion euro për infrastrukturë bujqësore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimet që ka patur në qytetin e Peshkopisë, ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerë në fshatin Grevë.

Duke e konsideruar si prioritetin e qeverisë së ardhshme, Basha shpjegoi planin e Partisë Demokratike për këtë sektor, i cili parashikon 100 milion euro subvencione vit për vit në bazë të prodhimit, 50 milion euro për infrastrukturën e bujqësore. Ai gjithashtu shprehu zotimin se do të zgjidhet problemi i certifikatave të pronësisë dhe Nipt-i i fermerëve do të jetë numri personal i fermerit për të shmangur burokracitë shtetërore.

“Çdo pronar automjeti nё Dibër shkon dhe e mbush serbatorin nё Dibër tё Madhe, këta tё Kukësit nё Prizren, këta tё Hasit kёshtu, tё Tropojës nё Gjakovë, tё Pogradecit nё Strugë. Sepse nafta nё Shqipëri ёshtё e treta mё e shtrenjtë nё botё, krahasohemi me Singaporin dhe me Suedinë. Pse? Pёr shkak tё taksës. 240 lekё ёshtё rrit taksa nё 8 vite ndërkohë qё nё fakt kishte premtuar uljen e taksës”, u shpreh Basha.

“Një grup njerëzish kanë përfituar, kryesisht importues, monopolistë. Si ka mundësi që ne të pranojmë në këtë vend ku gjysma e popullsisë jeton me tokën ku ka prodhime kaq cilësore që tregu ynë të mbytet nga prodhimet e eksportit që të vijnë me një çmim më të ulët se prodhimet tona? Sepse prodhimet e tyre janë të subvencionuara dhe importuesit e këtyre prodhimeve favorizohen në dogana. Pa pikë diskutimi kjo do të marrë fund. Subvencionimi i prodhimeve tona si fillim do të sjellë uljen e kostos së prodhimit të fermerit shqiptar mollë apo domate, qershi apo patate, mish, qumësht apo nënprodukte të tjera blegtorale, mjaltë apo peshk. Të gjitha do të përfitojnë nga subvencionet nga ulja e kostos. Ulja e kostos do të thotë në radhë të parë ulje e kostos së imputeve në fidanë, farëra, pesticide, dapi, proceset mekanike aty ku ndodhin se është një pjesë e madhe e Shqipërisë. Të gjitha do të përfitojnë nga subvencionimi duke synuar minimizimin deri në zerimin e tyre”, vijoi Basha.

“Kjo do të thotë që prodhimi juaj do të vijë në treg me një kosto shumë më të ulët se sot dhe do të thotë që do të vijë me një çmim konkurrues. Një çmim konkurrues që do ta bëjë prodhimin shqiptar të preferuar jo thjesht se është më i freskët, më i mirë, se vjen drejtpërdrejt nga toka nuk ka nevojë të vijë nga Egjipti, as fasulja, as patatja por vjen nga toka jonë”, tha ai.

“Ajo që ndoshta nuk dini është që Bashkimi Europian ka një buxhet të veçantë për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor për agro-kulturën, për bujqësinë, për blegtorinë në tërësi, për industrinë e ushqimit dhe për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. IPARD-i, i cili keqpërdoret nga qeveria aktuale. Jo vetëm kaq, por ne nuk arrijmë dot të absorbojmë shumë fonde që janë në dispozicion, por që sigurisht duhet një qeveri e besueshme, një qeveri që arrin ti thithë me projekte dhe pastaj shkon të japë llogari, se janë paratë e taksave të evropianëve ato”, theksoi kreu i PD.

Basha tha se problemi i certifikatave të pronësisë është një problem i madh.

“Për sa kohë që shteti nuk i ka marrë përgjegjësitë e veta për t’i pajisur fermerët shqiptarë me certifikatën e tokës, kërkesa për certifikatën e tokës nuk do të jetë më kusht për marrjen e subvencionit. Sikundër i qëndroj asaj që i kam thënë prej vitësh që Nipt-i i fermerit do të jetë numri i identifikimit personal në kartën e identitetit. Sa më burokratik shteti aq më i madh korrupsioni aq më të varfër njerëzit, prandaj ne do ta luftojmë burokracinë e tepërt kudo. Nga ana tjetër është një sfidë pajisja e fermerëve me certifikatat e pronësisë. Dhe ne kemi ngritur një departament pune i cili po merret me këtë çështje sikundër me të gjitha çështjet e tjera të pronës në mënyrë që t’i kolaudojë brenda dy viteve të para të qeverisjes tonë”, tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.