Basha: Do rihapim filialin e universitetit në Peshkopi, programe trajnimi dhe punësimi për të rinjtë

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Kreu i PD, Lulzim Basha, në vizitën e tij në Dibër, ka zhvilluar një takim me intelektual të këtij qyteti.

Duke e cilësuar si një qytet të punës, dijes dhe mençurisë, Basha tha se Dibra për 8 vite ka patur plagën më të madhe të dështimit qeveritar. Sipas tij, kjo gjë do marrë fund me ndryshimin më 25 prill dhe me programin e Partisë Demokratike, i cili parashikon mbështetje për të rinjtë, fermerët dhe arsimin.

Ai gjithashtu u zotua se dy nga vendimet e para që do të marrë qeveria e ardhshme do të jetë hapja e universitetit të Dibrës dhe përfundimi i rrugës së Arbrit.

“25 prilli po afron dhe ku mё shumë se nё Dibër ka dhembur plaga e këtyre 8 viteve ku njerëzit e kanё ndjerë deri nё palcë dështimin 8 vjeçar rënien dramatike tё ekonomisë, diskriminimin, ndarjen e njerëzve nё tё nёnёs dhe nё tё njerkёs, ku nё fakt shumica dërrmuese janë varfëruar, janë sh punësuar, janë nёpёrkёmbur. Ndёrkohё pushteti politik, pushteti ekonomik, pushteti administrativ jo vetёm ёshtё përqendruar nё njё grup njerëzish, por ёshtё shpërqendruar tek disa individ qё nuk pёrfaqёsojnё Dibrën, nuk pёrfaqësojnё vlerat kësaj treve”, tha Basha.

Ai tha se “drama e mbylljes së filialit të Peshkopisë është një dramë që ndihet në çdo familje të kësaj treve. Kostoja e arsimit të fëmijëve dibranë është shtuar, ndërkohë që është shkulur padrejtësisht ajo që duhet të ishte një vatër jo vetëm për trevën e Dibrës por për të gjithë Shqipërinë verilindore dhe jo më kot në programin tonë ne kemi vendosur arsimin e lartë si një prioritet absolutë dhe hapjen dhe rihapjen e institucioneve të arsimit të lartë me fokus të veçantë tek trajnimi profesionalë i rinis”.

“Javët e fundit duke përfshirë edhe ditët e fundit unë kam qenë në kontakt me institucionet europiane dhe me universitetet europiane të cilat do të na ndihmojnë ta bëjmë këtë realitet, do ta ndihmojnë së pari duke ju përgjigjur financimeve të qeverisë së re pas 25 prillit me financime europiane, duke na vënë në dispozicion trajnues të cilët do të përgatisin jo vetëm studentët por edhe pedagogët e ardhshëm në degë të veçanta me interes të madh për ekonominë dhe për investimet e huaja”,u shpreh kreu i PD.

Basha theksoi se “trajnimi i rinisë, sjellja e investimeve të huaja, rihapja e filialit i profilizuar për të prodhuar kuadro të përgatitur, profesione të përgatitura për këto investime dhe pa diskutim vëmendja e shtuar për disa nga investime strategjike për të cilat kanë interes parterët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të sjellë këtu vëmendjen edhe të investitorëve të tjerë  në fusha të ndryshme ku fokusi do të jetë teknologjia e informacionit, pra teknologjia kompjuterike e informacionit, e komunikimit, do të jetë industria auto-motive, do të jetë industria semikonduktorëve dhe pa diskutim do të jetë mbështetja e veçantë për bujqësinë dhe për turizmin, të cilat përbëjnë ndoshta mbi 50% të potencialit zhvillues ekonomik të zonës së Dibrës, krejtësisht të pa prekur”.

Ai u shpreh se “përfundimi i rrugës së Arbrit do ta bëjë Dibrën një nga qendrat më të afërta me kryeqytetin dhe do të nxisë kësisoj jo thjesht trafikun, por dhe shkëmbimin ekonomik me qendër më të madhe ekonomike të Shqipërisë, do ta sjellë shumë më afër edhe infrastrukturës turistike të turistëve të cilët janë dhe duhet të jenë në të ardhme një nga prioritetet tona për ti njohur jo thjesht me bregdetin por me gjithë bukuritë e mahnitshme të Shqipërisë.

“Kjo do të sjellë një ndihmë të madhe për bujqësinë dibrane,  produktet e të cilës janë me nam për nga cilësia, për nga natyra e tyre unike, por të cilave iu ka munguar si kudo në Shqipëri subvencionet, mbështetja me investime në infrastrukturë”, tha Basha duke shtuar se “mbështetja e gjithanshme e shtetit duke përfshirë investimin e personave të specializuar, agronomëve, veterinerëve, të cilët do të bëjnë të mundur që fermeri Dibran të sjellë produktin e tij unik, bio dhe cilësor, me një çmim të përshtatshëm në treg, jo për të mbajtur frymën gjallë por për të krijuar mirëqenie dhe për të rikrijuar traditën e jetës me tokën”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.