Bardhi në Gramsh: Plani ynë i matshëm, konkret, i llogaritur 

TIRANË, 10 prill/ATSH/- Në një takim me banorët e Gribës në Gramsh, Drejtuesi Politik për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, u shpreh se angazhimet e PD janë të matshme, të prekshme, të llogaritura saktë, dhe do të sjellin në fshat e kudo normalitetin, mundësinë që njerëzit të dalin nga varfëria e të marrin frytet e punës së tyre.

Ai u shpreh se pas 30 vitesh demokraci, e 8 vite keqqeverisje, njerëzit e kanë fituar maturinë që të mos votojnë më me tifozllëk e fanatizëm partiak, por për interesin, familjen dhe jetën e tyre.

“Shqiptarët e kanë kuptu se familja e vet është familja. Dhe për të parë se ça i kanë bërë këta familjes këta, duhet të vish në fshat. Dhe veçanërisht pas asaj ndarjes territoriale, si ka pa më kush fshatarët me sy. Vijnë vetëm për zgjedhje me kërku votën. S’ju pret askush e s’keni ku me qa një hall. Për të rregullu çatinë e shpisë duhet me shku me pagu 5 mln lek në Bashki se ndryshe mbin polici e të fut në burg. E këtë, na e shesin dhe si shtet”, u shpreh Bardhi.

Ai tha se kryeministri nuk del të bëjë bilanc por sulmon opozitën nga mëngjesi në darkë se s’ka bërë asnjë punë dhe s’ka mbajtur asnjë premtim.

Sipas tij, është strategji t’i varfërojë sa më shumë njerëzit që të ketë mundësi t’i nënshtrojë më lehtë. Bardhi solli shembullin e dikujt që e ka shitur votën në 2017, dhe pendesën që ka sot për këtë.

Bardhi tha se duhet ndërgjegjësim e duhet punuar me të gjithë për këtë, që të mos lejojmë blerjen e votës apo kërcënimet me ndihmën ekonomike. “Ta provojnë t’ja heqin vetëm njërit ndihmën ekonomike”, tha Bardhi.

Ai shtoi se 25 Prilli nuk është luftë mes partish, por një betejë, një mundësi e fundit për të dalë nga varfëria e për të kthyer shpresën tek njerëzit.

“25 prilli duhet parë jo si beteje mes socialistëve e demokratëve, por si një mundësi për të kthyer normalitetin për secilin. Angazhimet tona janë të thjeshta, të matshme, realiste, të përllogaritura me kujdes që behen realitet mjafton të ketë vullnet me punu për njerëzit. 25 prilli shansi i fundit për vendin për të ardhmen. Të jemi bashkë pa asnjë dallim. Zgjidhja është në dorën tonë, dhe është pjesmarrja në zgjedhje”, pohoi Bardhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.