Arrestohet sekseri që premtonte lekë në këmbim të votës, nën hetim drejtuesi politik në Pukë/Reagon LSI

TIRANË, 10 prill/ATSH/-Dy javë para zgjedhjeve, policia ka ndaluar në Pukë dy persona për të cilët dyshohet se shpërndanin para dhe u merrnin të dhënat personale dhe numrat e kartës së identitetit qytetarëve të ndryshëm.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë, në flagrancë u  arrestua shtetasit V. Sh., 45 vjeç dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin 45-vjeçarit V.Sh, policia ka gjetur shumën 528 mijë lekë të rinj, për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit bën të ditur se: “në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.  Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe një fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit. Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit,  si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemër) me 27 persona dhe numrat e ID. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.

Reagon LSI: Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në qarkun e Shkodrës reagoi pas ngjarjes së ndodhur në Pukë.

Në deklaratën për mediet, Dega e LSI qarku Shkodër tha se “ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes”.

“Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë. Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale”, thuhet në deklaratën e LSI Shkodër.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.