”Alibaba” gjobitet 2,8 miliardë dollarë për shkelje të rregullave të monopolit

PEKIN, 10 prill /ATSH-DPA/ – Rregullatorët kinezë gjobitën ”Alibaba Group” me 2,8 miliardë dollarë me akuzën se gjiganti i shitjes me pakicë në internet kishte shkelur rregullat e monopolit, raportoi media shtetërore.

Administrata Rregullatore e Tregut Shtetëror të Kinës vendosi sanksionin pasi arriti në përfundimin se platforma më e madhe e tregtisë elektronike në botë kishte shfrytëzuar dominimin e saj në treg për të ndëshkuar tregtarët që ofrojnë mallra në platformat konkurruese, ku u tha se ”Alibaba Group” pengonte konkurrencën.

”Alibaba” u ndëshkua me një gjobë prej 18,2 miliardë juan (2,8 miliardë dollarë) e cila korrespondon me 4% të shitjeve të saj të brendshme 2019 prej rreth 456 miliardë juan.

Me dënimin më të lartë të vendosur ndonjëherë nga rojat e konkurrencës kundër një kompanie kineze të internetit vijnë pyetje të reja në lidhje me të ardhmen e ”Alibaba” dhe themeluesit të saj, Jack Ma.

Ai vetëm rrallë është parë në publik që kur kritikoi publikisht rregullatorin financiar të Kinës vjeshtën e kaluar në një lëvizje që duket se ka zemëruar zyrtarët.

”Alibaba” tha se do ta pranonte sanksionin.

“Ne do të forcojmë operacionet në përputhje me ligjin, ne do të forcojmë më tej ndërtimin e një sistemi të pajtueshmërisë, bazuar në inovacionin dhe zhvillimin dhe ne do të përmbushim më mirë përgjegjësitë tona sociale”, tha kompania. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.