Aeroporti i Kukësit në procesin e marrjes së licencës ndërkombëtare, gati fluturimi i parë më 18 prill

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku  tha se “Aeroporti i Kukësit ka marrë licencën kombëtare dhe është në proces të marrjes së licencës ndërkombëtare, duke qenë kështu gati për të nisur më 18 prill, fluturimin e parë”.

Gjatë një interviste televizive Balluku shpjegoi se nga momenti i nisjes së fluturimit, do të jetë koncesionari i zoti i aeroportit.

Sipas saj, për momentin grupet e auditimit të Aviacionit Civil janë atje.

“MIE po mbikqyr të gjitha veprimet. Por menjëherë pas kryerjes së fluturimit të parë, jemi të lumtur për t’ia lënë këtë aeroport koncesionarit, i cili do të nisi menjëherë nga kontratat tregtare dhe të thërrasë të tëra kompanitë, që mendoj se mund të jenë dhe low cost dhe kështu iu shërben shqiptarëve edhe në një aeroport  më afër, pasi sot nga Tirana për në Kukës, shkohet për 1 orë e pak”, tha Balluku.

Ministrja informoi se aeroporti i Vlorës është në fazën e fundit të negociatave dhe në datën 18 prill është parashikuar për firmosjen e kontratës përfundimtare mes Qeverisë shqiptare dhe koncesionarit, për të nisur punimet në këtë aeroport.

“Gara për tunelin e Llogorasë nuk është mbyllur”- tha Balluku. Sipas saj gara e parë u anulua, pasi asnjë nga pjesëmarrësit nuk përmbushte kushtet dhe gara ndëkombëtare për tunelin e Llogorasë do të hapet në ditët në vazhdim.

Balluku e vlerësoi një nga investimet më të rëndësishme tunelin e Llogorasë që sipas saj, ka qënë një ëndërr e të gjitha qeverive që kanë dashur ta bëjnë këtë tunel, por nuk kanë arritur.

“Ky tunel do t’i hapë portën të gjithë Shqipërisë, për në Rivierën e mrekullueshme të jugut, sigurisht edhe investimeve të rëndësishme. Tuneli i Llogorasë do të  përshkohet për 7 minuta dhe do të kemi përfitime në injektime të mëdha ekonomike e turistike”- tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.