25 prilli, zgjedhje mes Vlorës dhe të shkuarës së tmerrshme të saj/ Meta po qëndroi me Leskon edhe 10 ditë, do të dekorojë Ismail Qemalin

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se nuk kërkon votë për veten në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, por vetëm për numrin 12 të Partisë Socialiste.

“Katër vite herë tre mandate bëjnë numrin 12 dhe numri 12 përcakton pikërisht këtë nëse jeni me Vlorën, apo jeni me të shkuarën e tmerrshme të Vlorës”, tha Rama.

Në fjalën e tij gjatë këndit të fjalës me qytetarët, kryeministri Rama tha se “nuk po përmend Vlorën e ’97-ës, por  kohën që Vlora ishte e braktisur nga Tirana, nga të gjitha qeveritë e Tiranës, sepse një pjesë thoshin ata i kemi në xhep, një pjesë thoshin ata s’bëhen kurrë me ne”.

“Se me këngë dhe histori e me traditë familjare, këtu, përsëritet gjatë gjithë kohës Vlora është e para. Në 25 prill nuk është një votë mes PS dhe PD, lëre pastaj partisë tjetër, por është zgjedhje mes Vlorës dhe të shkuarës së tmerrshme të saj. Kjo është ajo që ju them unë gjithë, xhagadurëve këtu: shikojeni mirë këtë punë, mos shkoni pas Berihait se nuk është tifozllëk ky dhe është turp që të vihet në diskutim këtu numri 12. Kush e vë në diskutim këtë këtu është turp”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “këngën “Vlora, Vlora” që ju e këndoni, të tjerët ma këndojnë mua në vesh për çfarë shohin që është bërë në Vlorë”.

“Ka ardhur dita që çohen njerëzit në Shkodër e thonë e duam Shkodrën si Vlora, çohen njerëzit kudo në Shqipëri e thonë e duam si Vlora dhe tani këta këtu çfarë do të votojnë Leskon apo Ilirin, sepse ka shpallur kandidaturën Iliri, që  të shpëtojë Vlorën”, u shpreh Rama.

“E dinë mirë ata, demokratët, se çfarë ndodh kur vjen LSI t’i shpëtojë ata. I mjel e ua bën cicat e lopës copë dhe përfundon PD nga lopë në lepur të lodhur që s’mbahet dot në këmbë, e kanë parë ata. Çfarë duan ata, Ilirin? Për çfarë se rrinë me Leskon gjithë ditën dhe vijnë  vërdallë natën se ditën del për të dhënë dekorata. Më thanë do të jepte dekorata për disa parukiere në Vlorë. Përtej shakasë është bërë qesharak një President që vjen vërdallë e u jep dekorata heronjve të popullit”, tha Rama.

““Heronjtë e popullit” janë perëndia në tokë, ngrihet një tokësor dhe thotë po ju bëj mjeshtra të punës. I njëjti njeri që i jep dekoratë një masazhatori i jep dekoratë një heroi. E padëgjuar në historinë e botës. Dekoratat për ata që kanë rënë në luftë janë gjëra të padëgjuara, pas vdekjes, pas vitesh të tëra, pas gjeneratash të tëra. Nuk jepen dekorata për ata, ata varrosen me nderimet më të mëdha dhe kanë titullin më të lartë që ekziston”, – nënvizoi Rama.

Më tej Rama tha se “po qëndroi me Leskon edhe 10 ditë, do të dekorojë Ismail Qemalin. Mos u habitni po s’i patë tapë në varrin e Ismail Qemalit duke i dhënë dekoratën. Pastaj do nisen të dekorojnë Skënderbeun se atë nuk e dekorojnë dot pa praninë e Saliut. Këta njerëz janë njësoj si të gjithë personazhet tragjikomikë”, u shpreh Rama. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.