Xhafaj, takim me gra dhe vajza në Kavajë: Pranverën tjetër do jenë strehuar të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputet i PS-së Etjen Xhafaj ka zhvilluar sot një takim me gra dhe vajza në Kavajë.

Në fjalën e tij, Xhafaj tha se “përpjekja më e madhe që ne bëjmë në jetë është përpjekja për fëmijët”.

“Pavarësisht se ku jetojmë në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht se si jetojmë në të gjithë Shqipërinë, ndonëse punojmë në sektor publik, apo sektor privat, ndonëse jemi të vetëpunësuar dhe kemi një biznes të vogël, nëse sapo jemi kthyer dhe përpiqemi dhe përpjekja e madhe fillon nga fëmijët dhe prandaj besoj se është shumë e rëndësishme edhe kjo përpjekje që jemi duke bërë në këto 30 ditë të fushatës. Pra përpjekja për të përmirësuar qytetin ku jetojmë, lagjen ku jetojmë, përpjekja e madhe fillon nga fëmijët”, tha Xhafaj.

Ai tha se gratë kanë qenë një mbështetje shumë e madhe në qytetin e Kavajës.

“Na kanë ndihmuar të jemi më pranë njerëzve, na kanë ndihmuar të kuptojmë më mirë problematikat, si dhe na kanë ndihmuar pastaj të gjejmë edhe zgjidhjet”, tha Xhafaj.

Xhafaj tha se, “në këto zgjedhje ne po kërkojmë të vlerësohemi në bazë të punëve që kemi bërë. Dy vite e fundit ne kemi patur një sëri katastrofash, që nga tërmeti i 21 shtatorit tek ai i 26 nëntorit, 2500 goditje më vonë, 67 mijë familje të zhvendosura. Tre muaj pas kësaj filloi kufizimi dhe mbyllja për shkak të pandemisë. Ka qenë një periudhë e vështirë për të gjitha vendet në botë por për Shqipërinë veçanërisht shumë e vështirë”.

“Unë besoj se si çdo familje edhe në politikë ne duhet ta gjykojmë atë që zgjedhim në bazë të asaj që ka bërë, në bazë të asaj që po bën dhe në bazë të asaj që premton të bëjë dhe besoj janë shumë të qartë në këto tre raste kush është rekordi ynë. Ne kemi qenë aty pranë njerëzve që ditën e parë. Unë kam qenë në Lezhë, një nga qarqet më të dëmtuara nga tërmeti dhe kemi parë se çfarë ndodhi. Ndihmuam njerëzit të strehoheshin, të vendosnin çadrat, të strehoheshin nëpër hotele, duke bashkëpunuar me solidaritet me të gjithë komunitetet e prekura. Ka patur një pikë, kur unë kam shkuar atje, ka patur 1800 vetë, ndërsa pala tjetër bridhte në rrënoja dhe thoshte: ja këtë s’e keni strehuar akoma. Sot rindërtimi është duke ndodhur”, tha Xhafaj.

Xhafaj theksoi se “kemi marrë zotimin për të ardhmen që deri në fund të pranverës që vjen do jenë sistemuar të gjithë”.

“Janë duke mbaruar 500 mijë banesa individuale, 12 mijë apartamente dhe më shumë se 200 objekte publike që janë ose shkolla ose objekte të tjera”, tha ai.

Duke folur për pandeminë, Xhafaj tha se Shqipëria është mbyllur 3 ditë pas Italisë dhe nuk ka pasur dhe as nuk ka problematika që kanë vendet e tjera.

“Aktualisht kemi filluar vaksinimin masiv. Pra jemi në nivel në përqindje të popullsisë së vaksinuar aty-aty me Gjermaninë. Jo se jemi aq të fortë ekonomikisht, jo se jemi aq të përgatitur qoftë dhe nga ana e sistemit shëndetësor, por jemi përpjekur që kur kriza e ngre stekën e saj, jemi përpjekur të ngrihemi dhe ne. Edi Rama ka vajtur dhe ka siguruar aq vaksina sa na duhen sa deri në maj të kemi vaksinuar të gjithë shtresën e rrezikuar të popullsisë”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.