Xhafaj: Fokusi i PS, transformimi i Kavajës për ta bërë atraksion madhor turizmi për gjithë Shqipërinë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kandidati i PS në qarkun e Tiranës, Etjen Xhafaj zhvilloi sot një bisedë për në takimin e lagjes numër 3 në Kavajë.

Xhafaj u shpreh se në Kavajë njerëzit janë të jashtëzakonshëm, të qetë të punës.

“Njerëz të cilët i marrin gjërat vetë në dorë, të cilët janë përpjekur të bëjnë një jetë të mirë. Por sigurisht nuk e kanë pasur gjithmonë ndihmën që u duhej dhënë nga politika, por që kam përshtypjen që në 10 vitet e fundit ka ndodhur një ndryshim drastik, në të gjitha ato që janë duke u bërë, të cilët janë ndërprerë, dhe tani po ribëhen nga e para”.

“Fokusi është ta bëjmë qytetin më të jetueshëm, jo vetëm për qytetarët, por edhe për familjarët. Se në fund të ditës të gjitha përmirësimet që bëjmë pas një farë moshe i bëjmë të gjitha për fëmijët. Dhe ky është një qytet që tashmë që është tejet i jetueshëm për fëmijët. Tani që po ribëhen të gjitha shkollat do të jetë edhe më tepër”, tha Xhafaj.

Pra, shtoi Xhafaj, “është një investim drejt të ardhmes. Drejt mbajtjes së njerëzve të rinj këtu. Drejt mundësimit të shprehjes së talenteve të tyre, drejt krijimit të bizneseve, drejt krijimit të vendeve të punës. Dhe sigurisht zhvillimit tërësor të gjithë zonës, e cila këto dy vitet e fundit është duke ndryshuar komplet në nivel infrastrukturor. Dhe që do të vazhdojë ky transformim për t’u bërë një atraksion madhor turizmi për gjithë Shqipërinë. Dhe sigurisht pastaj edhe për prodhim, sepse i ka të dyja anët, të dyja këto sektorë Kavaja dhe ka mundësi të zhvillohet shumë më tepër duke parë përpara”.

Gjatë bisedës kryebashkiaku i Kavajës, Redian Krali u shpreh se, “po rehabilitohet e gjithë zona. Po mbaron dhe aksi kryesor. Kemi mbaruar rrjetin e ri të ujësjellësit. Tani do të mbarojmë edhe asfaltin e ri. Në çdo rrugë të shkosh ka kantier”.

Për bashkëpunimin me Xhafaj, kryebashkiaku Krajli u shpreh se, “kemi një koordinim të jashtëzakonshëm bashkë. Vazhdojmë në çdo pjesë, edhe në pjesën e qeverisë qendrore dhe në pushtet lokal. Kështu që gjithçka vazhdon më së miri në qytetin tonë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.