Veliu garanton ambasadorin e OSBE-së: Zbatim i standardeve për rolin e Policisë në zgjedhje


TIRANË, 9 prill/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi sot 5500 kopje të librave të xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”, të cilët do t’u shpërndahen punonjësve të Policisë të ngarkuar me detyra zgjedhore.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në praninë e ambasadorit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Vincenzo del Monaco, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të 5500 kopjeve të librave të xhepit “Për rolin e Policisë gjatë procesit zgjedhor”, të prodhuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu ka falënderuar Del Monaco për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Prezenca e OSBE-së i ka dhënë Policisë së Shtetit dhe ka theksuar se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për të ruajtur dhe rritur më shumë standardin e krijuar gjatë procese zgjedhore të kaluara dhe ka siguruar qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e fokusuar vetëm në zbatim të ligjit.
“Edhe për këtë proces zgjedhor, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme administrative, organizative, teknike, logjistike dhe operacionale për të bërë të mundur zbatimin e këtyre standardeve dhe realizimin gjithnjë e më mirë të një performance sa më të lartë”, u shpreh Veliu.
“Në këtë kuadër, ne jemi të hapur edhe për monitorim nga ana e vëzhguesve tuaj për masat e marra dhe zbatimin e detyrave nga strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë gjithë aktiviteteve për sigurimin e objekteve zgjedhore, veprimet e policisë gjatë ditës së votimit, shoqërimin e kutive të votimit, sigurimin e vendeve të numërimit të votimit etj”, vijoi ai.
“Në emër të Policisë së Shtetit, unë ju siguroj se gjithçka që bëhet për mbështetjen tonë, do të na shërbejë për të forcuar kapacitetet tona për zbatimin e ligjit, sipas standardeve të policive të vendeve të Bashkimit Europian”, tha Veliu.
Ambasadori Del Monaco është shprehur  se “libërthat që ne kemi dhuruar do të shërbejnë si mjet për zyrtarët e Policisë së Shtetit, për efektivët që do jenë duke zbatuar detyra gjatë ditës së zgjedhjeve”.
“Gjithashtu unë do ju dorëzoj edhe diçka tjetër që është më pak e prekshme. Janë tre fjalë që nisin me të njëjtën germë, me germën v: 1/vlerat – ju përfaqësoni mburojën e parë për vlerat e demokracisë, sepse jeni linja e parë e mbrojtjes për vlerat demokratike në të cilat bazohen zgjedhjet; 2/vokali ose zëri – me anë të punës tuaj jeni ju ata që siguroheni që qytetarët të kenë zë dhe që zëri i tyre të dëgjohet; 3/votoni edhe vetë. Gjithashtu ju ftoj që të vazhdoni të mbështeteni tek ne, tek mbështetja ime dhe tek mbështetja e personelit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri”, tha Del Monaco.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.