Veliaj: Nëse ky qytet na jep bekimin, do garoj për mandatin e 3-të si kryebashkiak

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, shprehu në emisionin “Opinion” ambicien për të kandiduar dhe për një mandat të tretë në krye të punëve publike në kryeqytet.

Veliaj tha se Shqipërisë i duhet një lider i fortë si Edi Rama, ndërsa nënvizoi se puna si Kryetar i Bashkisë së Tiranës është “dashuria e jetës”.

“Unë jam në krah të Edi Ramës dhe në çdo orë të ditës jam një avokat i faktit që Shqipërisë i duhet një lider i fortë si Edi Rama. Unë për 2 vjet, dhëntë zoti bekimin e këtij qyteti, do garoj për mandatin e 3-të si kryetar bashkie i Tiranës. Kjo është dashuria e jetës sime, ky është pasioni i jetës sime, ky është obsesioni me të cilin çohem në mëngjes”, tha Veliaj.

“E di që duhet të bëj punë të vështirë, disa njerëz mërziten, disa njerëz gëzohen, por duhet të marr vendime të drejta. Unë këtë kam pasion dhe këtë do bëj. Me Edi Ramën kam një kënaqësi të jashtëzakonshme të bashkëpunoj dhe sot, duke qenë se e njoh prej 15 vitesh përditë, jo 1 herë kur ka zgjedhje, përditë. Jam sot garant i faktit që ky është një njeri i fortë në një moment të vështirë për Shqipërinë, na duhet dikush që është zgjuar në 4 të mëngjesit dhe jo dikush që fle. Na duhet dikush që i merr vet vendimet dhe jo Gjiri i Lalzit dhe ky është Edi Rama”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu bindjen se PS më 25 prill do të fitojë sërish.“ Rama do thyejë një rekord në këto zgjedhje. Tani janë bërë 10 sondazhe nga 10 burime të ndryshme që e nxjerrin PS të gjitha fituese”, u shpreh Veliaj./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.