Vaksinimi antikovid/ Qytetarët për ATSH-në: Po vjen momenti që të përqafojmë të gjithë të afërmit, e kemi ndjerë izolimin

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Fushata e vaksinimit antikovid vijon të ecë me ritëm tejet të shpejtë dhe shumë shpejt do të ulet dhe fasha moshore e të vaksinuarve. Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte sërish në sheshin “Skënderbej”, ku po vijon fushata e vaksinimit masiv antikovid.

Qytetarët shprehen besimplotë dhe deklarojnë se vaksina është mënyra për t’u kthyer në normalitet.

Një qytetare u shpreh se është mirë që të gjithë qytetarët të vaksinohen sikurse po e bën e gjithë bota.

“Unë jam 70 vjeçe dhe tashmë ndihem edhe më e sigurtë. Erdhi momenti që ne të përqafojmë të gjithë të afërmit tanë, sepse u bë tashmë 1 vit pa u takuar me njerëzit tanë të dashur. Më në fund do të na ndryshojë edhe jeta, sepse po rrinim vetëm brenda në shtëpi të izoluar dhe pa kontaktuar me njeri. Tashmë jemi të lirë dhe falenderojmë shtetin që bëri të mundur vaksinimin e popullit”, u shpreh ajo.

Ndërsa një tjetër qytetar i cili sapo kreu dozën e parë të vaksinës shprehet se gjithçka ishte e organizuar më së miri.

“Tani do të më duhet të pres rreth 20 minuta sipas rekomandimit në mënyrë që të shkojë çdo gjë mirë. Rekomandimin që të vija dhe të paraqitesha këtu ma dha mjeku i familjes. Tashmë ndihemi më të mbrojtur me bërjen e kësaj vaksine. Dikur nuk mund të takoheshim me njerëzit dhe madje as bashkë nuk do të mund të rrinim kaq pranë me njëri-tjetrin. Gjithashtu u bëj apel të gjithë qytetarëve që të mos ngurrojnë dhe ta bëjnë këtë vaksinë”, u shpreh ai.

“Jam i sigurtë që nëse kjo vaksinë do të ofrohej me pagesë, të gjithë do të vraponin për ta marrë këtë shërbim. Jemi të kënaqur që ky shërbim ofrohet falas nga shteti pasi për shumë qytetarë është e papërballueshme me aq pjesëtarë sa jemi në familjet tona”, u shpreh një tjetër. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.