“Tërmeti dhe pandemia treguan se Rama ka bërë shtet”/ Bozo: Shembulli i fundit ishte zgjidhja e situatës në aeroport

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste, e renditur e para e listës së Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Luljeta Bozo tha se menaxhimi i dy krizave më të mëdha në vend të viteve të fundit, tregojnë se Shqipëria sot është një shtet.

“Shqipëria është shtet. Si ka mundësi që 60 kontrollorë të bllokojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë? Kjo nuk ndodh kurrë. Edhe në botë ka ndodhur shumë rrallë. Ti ke të drejtë të komandosh uljet apo ngritjet e avionëve pa ndodhur aksidentet ajrore, prandaj të paguajnë edhe aq shumë. Si mund të bllokosh hapësirën ajrore të Shqipërisë? Ti bllokon edhe linjat e tjera. Fakti që për 24 orë iu dha zgjidhje kësaj situate, do të thotë që kemi shtet. Ky ishte një sukses i shtetit. Kujtojmë edhe ngjarjen e tmerrshme të 26 nëntorit, ku brenda 24 orëve njerëzit u futën nëpër çadra dhe nuk la asnjë njeri nëpër rrugë”, tha Bozo.

Mbi të gjitha, u shpreh ajo, mori përsipër një gjë që nuk e ka marrë asnjë shtet që ka fuqi më të madhe se ne si Italia apo Greqia, që arriti që një pjesë e mirë e njerëzve të futen në shtëpia pa harxhuar asnjë lek personi që është prekur nga tërmeti.

“Atyre iu shkatërrua shtëpia, sepse ose ishte shumë e vjetër, ose e ndërtoi pa asnjë rregull. Nuk mori as projekt, as inxhinier, e ndërtoi vetë. Shteti mori përsipër që të gjithë të futen në shtëpia të reja pavarësisht kësaj. Dhe unë jam besimplotë që pranverën e ardhshme të gjithë do të futen në shtëpi të reja, që atyre as që ua ka marrë mendja. Pastaj erdhi pandemia. Këtu te ne u përballua mjaft mirë. Humbje kemi pasur goxha, por po ta krahasosh me vendet e tjera kemi patur kontroll të situatës. Jemi të parët sa u përket vaksinimit të popullsisë dhe janë të dhëna që i ka nxjerrë bota jo ne”, tha Bozo.

Më tej, Bozo ka dhënë mesazhin e saj për të rinjtë të cilët duan të largohen nga vendi. Sipas saj, në Shqipëri gjen gjithçka dhe të rinjtë mund të krijojnë të ardhmen në vendin ku kanë rrënjët e tyre.

“Fraza që vendi nuk bëhet është e dëmshme dhe nis nga familja. Nëse sot kemi një rini që do të ikë jashtë, të ketë një vend pune në shtet ose të rrijë kafeneve, defekti i parë qëndron te familja. Familja e mëson fëmijën të punojë dhe të ecë përpara vetë, që ta dojë vendin tonë të mrekullueshëm sepse Shqipëria është perlë nga çdo pikëpamje. Nuk braktiset ky vend kur në 28 mijë km katrorë ti i gjen të gjitha bukuritë e mundshme”, vijoi Bozo.

“Të kesh gjithçka dhe të mos e duash vendin, të shkosh në një vend ku nuk e sheh diellin me sy, është e pashpjegueshme. Unë nuk jetoj dot pa diell, jemi mesdhetarë, jemi mësuar, nuk jetojmë dot pa diell. Në çdo vend që të shkosh nuk të pret tapeti i shtruar, për të të uruar mirëseardhjen por do të punosh, sepse ndryshe nuk jeton dot atje dhe nëse nuk punon more fund. Punë është atje, punë është këtu. Këtu ke të gjithë rrethin tënd shoqëror, kemi njëri-tjetrin dhe është gjë shumë e madhe. Këtu janë rrënjët dhe kudo janë rrënjët, je tjetër njeri. Këtu janë të gjitha mundësitë”, deklaroi Bozo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.