“Taksa Basha për të pasurit”/Rama nga Saranda: Edhe të PD-së të kënaqur nga zerimi i taksës dhe i TVSH-së

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Transformimi i shëtitores së Sarandës ka rritur edhe vlerën e pronës duke u kthyer në një instrument rritjeje ekonomike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama tha në Sarandë se, “sot të gjithë këta që kanë dyqanet, baret dhe restorantet buzë kësaj shëtitoreje, kanë një pronë që vlen më shumë se përpara ndërtimit të kësaj shëtitoreje”.

“Si këta janë me dhjetëra e mijëra të tjerë. Nga ana tjetër sot këta dhe afro 100 mijë si këta, e kanë zero taksën e fitimit dhe e kanë zero TVSH. Padiskutim bile diku aty erdhën e na përshëndetën disa të PD-së e na thanë se janë të kënaqur. Ata të PD e kanë zero taksën e TVSH-në. Për çfarë arsyeje duhet të shkojnë të votojnë për PD përderisa kanë zero taksë, zero TVSH dhe nuk kanë asnjë lidhje fare me inspektimet dhe detyrimet që kërkon shteti, përveç atyre sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që nuk janë për shtetin, por janë për secilin nga punonjësit, për pensionet dhe shëndetin. Ndërkohë që PD e ka thënë, do sjellë mbrapsht atë taksën që ka lindur dhe është krijuar për të mbështetur më të pasurit në kurriz të më të varfërve. Për të mbështetur ata që kanë më shumë, në kurriz të atyre që kanë më pak”, tha Rama.

Ai shtoi se taksa e sheshtë 9 %, domethënë ata e kanë zero dhe do votojnë PD që ta marrin 9.

“Por mirë ia vlen që të paguash taksë 9 % çdo muaj për të çuar Lulin që të flejë të kryeministria? Për çfarë arsyeje? Luli mund të flejë kudo. Kam treguar barcaletat e dynjasë që mos të ma zinte gjumi, se shkoi shumë vonë. Ai mund të flejë në shtëpi, në makinë siç e patë pa problem. Ai fle ku ka një vend që të mbështesë kokë, madje, ma besoni, edhe kur është duke folur ai është duke fjetur. Por ka mësuar të flasë në gjumë. Prandaj është komplet i papërgjegjshëm nga ato çfarë thotë. Një herë thotë thyeni xhamat, shponi gomat, pastaj del e thotë të kundërtën e asaj. Një herë shfaqet si radikal ekstremist, një herë shfaqet si djalë i mirë, varet si është kurdisur”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “përtej dhe mbrapa tij qëndrojë ata që e kurdisin”.

“Ka mundësi që shumica dërrmuese e shqiptarëve të dojë prapë Ilir Metën dhe Sali Berishën në jetën e tyre? Të dojë prapë që Shqipëria të hyjë prapë në një fazë pasigurie dhe të përfundojë prapë në buzë të një humnere tjetër? Kështu ka ndodhur edhe herën e dytë, pavarësisht se humnera nuk ishte aq e dukshme dhe aq e tmerrshme sa ajo e ’97-ës, por shteti ishte në falimentim, borxhi ishte një mal i lartë”, nënvizoi Rama.

“FMN erdhi e na tha sapo fituam ‘ulni rrogat dhe pensionet, se nuk keni me çfarë t’i paguani në fund të vitit’. Ne i thamë jo, do të bëjmë reformën në energji. ‘E kemi dëgjuar shpesh këtë’, thanë ata, por kjo nuk funksionon se kështu thonë të gjithë kur vijnë. Unë u thashë se ne nuk jemi si të tjerët. Ne do ta bëjmë reformën në energji që ishte gropa më e madhe, sikundër edhe reformën e ujit. Ne po e çojmë përpara dhe sot kemi plot zona që e kanë ujin 24 orë dhe plot të tjera ku kantieret janë të hapura për ta bërë ujin 24 orë dhe brenda vitit të ardhshëm ne do të kemi përfundimisht 24 orë ujë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë dhe çështja e ujit do të jetë që do i përkasi të shkuarës si problem, si temë diskutimesh apo si premtim fushatash”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.