Spiropali nga Qendër Kamza: Fitorja spektakolare e 25 Prillit fillon këtu, bllokimi i aeroportit, akt çnjerëzor i çetës së qametit


TIRANË, 9 prill/ATSH/ Drejtuesja politike e PS për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, së bashku me kryebashkiakun Rakip Suli, kanë zhvilluar sot një takim masiv me distancë me banorë të Qendër-Kamzës, me të cilët ka ndarë vizionin e Partisë Socialiste për Kamzën dhe Shqipërinë.

Përpara banorëve të zonës, Spiropali hodhi akuza ndaj opozitës si shkaktare të bllokimit të aeroportit të rinasit, pengimit të lëvizjeve të qytetarëve dhe mbërritjes së vaksinave, duke i quajtur ata një çet të organizuar që nuk duan t’ia dinë për shëndetin e njerëzve por vetëm për karriget dhe pushtetin e tyre.

“Shikoni kë keni përballë! Kanë tre ditë që bllokojnë aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Janë një çet e organizuar që nuk duan tja dinë as për njerëzit që duan të shkojnë jashtë për kurim, as për ata që vinë, as për ata që udhëtojnë, as për sigurinë kombëtare, se për ta më e rëndësishme është karrigja e tyre, është pushteti. Ata luftojnë për karrige. Ata nuk luftojnë për njerëzit. Imagjinoni të mos ishte Edi Rama kryeministër i këtij vendi i cili iu gjend njerëzve pranë me ndihma të gjithë bashkive në Shqipëri. Sot në Kamëz dhe në gjithë Shqipërinë janë vaksinuar mbi 210,000 shqiptarë, dhe do të vaksionehen 500 mijë shqiptarë deri në fund të qershorit. Vetëm tani para një ore kanë mbërritur 100 mijë doza të reja që ata i penguan dje të vinin në rinas, se për ta jeta e njerëzve nuk vlen. Për ta shëndeti i njerëzve s’ka rëndësi. Për ta të rrojë Luli, të rrojë Mona, të rrojë Iliri, të rrojë Fatmiri, të rrojë Shpëtimi, të rrojë Vangjeli, që janë në listë pa të tjerët le të vdesin. Jo, nuk do vdesim. Por ne do vazhdojmë përpara me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, – deklaroi Spiropali.

Ministrja Spiropali ka shpjeguar gjithashtu arsyet se përse Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë qeverisës dhe se 25 Prilli është një ndeshje e rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve, fitoren e betejës me pandeminë dhe rimëkëmbjen e vendit.

“Nuk kemi patur dy mandate. Kemi patur një mandat dhe një mandat lufte dhe beteje. Me ata që braktisën kuvendin e Shqipërisë, braktisën zgjedhjet, goditën institucionet me molotov, me armë, me zjarrë, me gurë e me çfarë mund të gjenin e kur njerëzit që punonin në bashkinë e Kamzës i përdornin si mish për top për të goditur me gurë institucionet”, – u shpreh ministrja Spiropali.

Spiropali bëri dhe një bilancë të punëve të bashkisë Kamëz përgjatë 1 viti e gjysëm mandat duke folur për vizion politik për ta transformuar infrastrukturën mësimore të Kamzës në më të mirën në Republik.

“Në një vit e gjysëm kemi dëshmuar që punojmë me njerëzit dhe për njerëzit. Ata i kanë dhënë një emër të keq politikës. Por, politika nuk është e të keqes, politika është e të mirës. Politika është të kesh vizion të bësh një kopësht, një çerdhe të bukur, siç është ai në Paskuqan, siç është “Niko Hoxha” në Valias, siç janë kopshtet dhe shkollat që po ndërtohen në Kamëz, plotë 23 të tilla. Kamza do të ketë infrastrukturën mësimore më të mirë në Republikën e Shqipërisë”, – u shpreh Spiropali. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.