Shqipëria me ritmet më të larta të vaksinimit masiv në rajon/ Sezon turistik i lehtësuar se shumë vende të tjera

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Nga Saranda, Kryeministri Edi Rama tha sot se “ne duhet me patjetër të garantojmë që Shqipëria nuk kthehet mbrapa dhe të garantojmë që ngjitja jonë të vazhdojë e të vazhdojë edhe më më e vendosur dhe më e shpejtë. Po për t’u ngjitur më lart më shpejt, duhet shumë më tepër forcë dhe karakter”.

Në këndin e fjalës, Rama tha se “karakteri ynë është sprovuar tanimë edhe të gjithë ata që duan të bëjnë vlerësimin e karaktereve në këtë  fushë beteje ne e kemi karakterin të testuar në dy përballje të jashtëzakonshme, me tërmetin dhe armikun padukshëm. Me tërmetin që kur u zgjuam të nesërmen askush nuk e besonte se ne mund të ringriheshim më të fortë në këtë shpejtësi që po ringrihemi, duke kthyer çdo ditë familje në shtëpi më të forta më të sigurta më të bukura edhe më të mëdha, duke kthyer përditë fëmijë dhe mësues në shkolla që as nuk krahasoheshin me ato që ishin”.

Rama tha se, “ne ia dolëm ashtu sikundër askush nuk e besonte se ne do të ishim një nga vendet me ritmet më të larta të vaksinimit masiv në kontinentin ku jetojmë në mes të Europës, ndërkohë që BE na la vetëm në momentin e parë, ne të gjithë në këtë lagje të rrethuar nga kufijtë e BE-së që quhet Ballkanit Perëndimor ne nuk kishim dalje dhe për ta kapërcyer atë mur rrethues duhet karakter duhet vizion dhe këmbëngulje e madhe dhe duhet durim”.

“Nuk është ai rasti që sot ne vaksinojmë masivisht, nuk është e rastit që sot janë dhjetra e mijëra gjyshe e gjyshër që po buzëqeshin të çliruar nga ai ankthi i tmerrshëm që prej më shumë se një viti nuk takonin dot fëmijët e tyre. Ja ku po ndodh siç do të ndodhi që ne do ta vazhdojmë vaksinimin masiv dhe sezoni turistik në Shqipëri do të jetë një sezon shumë më i lehtësuar se shumë vende të tjera. Dhe këto janë teste të karakterit dhe po ashtu prova konkrete të të qenurit në drejtimin e duhur ku ne arrijmë të thyejmë fuqinë e jashtëzakonshme shtypëse të dy goditjeve kaq të mëdha”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.