“Ruajtje e shëndetit të njerëzve dhe mbajtje e ekonomisë ndezur”/ Gogu: PS është parti që e ka zakon të fitojë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Toni Gogu, kandidat i PS për Qarkun e Tiranës e krahasoi punën e qeverisë me atë të një anije që duhet të navigojë mes dy ajsbergëve, nga njëra anë ruajtja e shëndetit të njerëzve dhe nga ana tjetër mbajtja ndezur e ekonomisë.

Duke folur në një intervistë televizive, Gogu u shpreh se detyra e një qeverie në këto momente është të navigosh anijen përmes dy ajsbergëve që nga njëra anë të ruash shëndetin e njerëzve, nga ana tjetër të mbash ekonominë ndezur dhe ta mëkëmbësh atë.

I pyetur sesi po shkon fushata, Gogu tha se, “besoj që fushata ka vënë në dukje ato gjëra që forcat politike besojnë. Ne kemi ardhur këtu sepse të gjithë ne njerëzit bëjmë atë që besojme. Shprehim bindjet tona. Besojmë që ligji i gravitetit funskionon dhe vijmë këtu duke ecur jo duke fluturuar. Besoj që dhe fushata këtë ka vënë në dukje. Ka vënë në dukje të gjithë bindjet politike të familjes sonë socialiste që besojmë që vendi u gjend në një krizë të dyfishtë që u vendosën njëra mbi tjetrën dhe në këtë mënyrë ne shohim një fushatë jashtëzakonisht aktive intensive për të nxjerrë vendin nga kriza”.

Ndërkohë, shtoi Gogu, “nga krahu tjetër shohim një festë të madhe e cila i paraprin asaj dite që ngjan me atë dasmën e madhe. Besoj që këto janë dy kontrastet. Pra fushata tregon kontrast të pastër midis programeve, kandidatëve dhe midis atyre gjërave që ne besojmë”.

I pyetur në lidhje me llogaridhënien, Gogu tha se, “nuk duhet të harrojmë asnjëherë që kur një organizëm gjendet në krizë është jashtëzakonisht e rëndësishme që të japësh llogari në radhë të parë sesi po e nxjerr atë nga kriza dhe këtë gjë ne po e bëjmë rregullisht”.

I pyetur në lidhje me kërkesën e kryeminsitrit Rama ndaj drejtuesit politik të qarkut të Vlorës për një “tërmet” në Vlorë, Gogu tha se, “besoj që ka për të ndodhur sepse për një parti politike në Shqipëri të marrë mandat të tretë patjetër që ky do të jetë një tërmet i zakoneve. Megjithëse PS është parti që e ka zakon të fitojë. Pra PS, ju jeni dëshmitarë, jeni vëzhgues shumë më të hershëm, më të stërvitur, më të maturuar se unë dhe keni parë që PS ushtrohet çdo ditë për të fituar. Pra fitorja nuk është një gjë e rastësishme që ndodh për PS, humbja është e rastësishme dhe humbja ka qenë ndonjëherë për shkak të pakujdesit tonë”.

I pyetur sesi është situata në terren, Gogu tha se, “në terren ka intensitet. Ne jemi në një punë intensive. Pastaj historia sesi kjo pjesa e të hedhurit të gurit dhe të fshehurit të dorës, e këtyre skuthlliqeve poltike të cilat marrin të pushtojnë aeroporte e ku di unë se çfarë, që krijojnë furtunë nëpër gota, kjo është tjetër histori”.

“Qytetarët janë  të lodhur dhe mezi presin të gëzojnë pranverën të fillojnë të përqafojnë, se kanë një vit pa përqafuar. Është shumë e rëndësishme të prekin, se ne jemi njerëz, per ne prekja është shumë e rëndësishme. Kështu që këtu janë njerëzit. Njerëzit nuk janë tek tensione të sajuara nga njerëz, të cilët duan politikën ta përdorin si një mjet për të mbajtur pushtetin”, tha Gogu.

Nga ana tjetër, u shpreh Gogu, “do na duhet që t’u themi atyre që mënyra sesi merr pjesë në demokraci është përmes votës. Kështu që eja nëse je i bindur me mënyrën sesi ne e kemi menaxhuar krizën, me mënyrën sesi ne kemi menaxhuar zhvillimin e vendit dhe ringritjen e ekonomisë nga dy goditjet që ka marrë ekonomia dhe mënyra sesi po përpiqemi që përmes vaksinimit të kapim sezonin turistik, i cili është një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë tonë, unë nuk di se çfarë mund të bëjmë tjetër për t’u thënë qytetarëve të këtij vendi”.

Nga ana tjetër, shtoi Gogu, “duhet ta themi. Sot po dëgjoja kryeministrin me një bari nga Konispoli, i cili kishte aksesuar E-Albanian. Në pjesën e korrupsionit, në momentin që hapen kanatat dhe në momentin që rritet transparenca dhe në momentin që një qytetar është larg zgjidhjes së problemit të tij dhe akseson kryeministrin me një klik ne nuk mund të themi që shiko nuk kemi ecur. Se si kjo do vazhdojë të japë rezultatet e veta, unë besoj se kjo është një gjë që ne duhet ta shohim teksa piqemi si shoqëri. Por absolutisht që jemi aty për të dëgjuar ata që protestojnë përmes heshtjes apo bojkotit”.

I pyetur për reformën në drejtësi, Gogu tha se, “reforma në drejtësi është reforma edhe sot e kësaj dite, shoqërore më e madhe që po ndodh në shoqërinë tonë për të vendosur në themeline shoqërisë drejtësinë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.