Rikualifikimi i shesheve dhe transformimi i lagjeve nga rindërtimi/ Kandidati i PS-së në Lezhë, Ndreca: Investime edhe në zonat turistike

TIRANË,9 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Eduard Ndreca tha sot se “bashkia Lezhë ka pësuar transformime të mëdha falë punëve të mëdha që janë bërë nga qeveria shqiptare dhe nga kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, jo vetëm në Lezhë, por edhe në Kurbin e Mirditë”.

Në një intervistë televizive Ndreca tha se “këto ndryshime më japin të drejtën të shkoj kryelartë në dyert e qytetarëve të kërkoj votën”.

Duke folur për investimet e kryera në Lezhë, Ndreca u shpreh se “do ta nis me një pjesë të investimeve që janë bërë në bashkinë e Lezhës dhe në bashki të tjera. Është sheshi i Lezhës , rikualifikimi i shëtitores së lumit Drin, e cila do të pësojë një transformim tjetër për shkak të një fondi të fituar nga një konkurs ku ka marrë pjesë bashkia Lezhë, janë dy nga ndryshimet kryesore. Është ujësjellësi i Lezhës që furnizon qytetin me ujë 24 orë,. Në rrethinat e qytetit patjetër që ka nevojë dhe janë nisur një sërë ujësjellësash të tjerë që janë ose në përfundim ose në proces”.

“Kemi problem në zonat turistike dhe janë miratuar projekte për ujësjellës qoftë në Shëngjin dhe në zonën e Tales”, – tha Ndreca.

Ndreca tha se në këto zgjedhje ne shkojmë përballë qytetarëve kryelartë në qarkun e Lezhës.

Në lidhje me rindërtimin nga tërmeti, Ndreca tha se “qeveria dhe Kryeministri Edi Rama kanë marrë përgjegjësinë totale për të përballuar fatkeqësinë e tërmetit dhe për mendimin tim dhe të shumë shqiptarëve po e përballon me sukses”.

“Bashkia Lezhë dhe Kurbin u prekën më shumë nga tërmeti. Në bashkinë e Lezhës janë 1320 familje që  kanë përfituar, pak më shumë se kaq janë edhe në Kurbin. Në Kurbin ndërtimi i banesave ka ecur me ritme të shpejta dhe janë në fazën e fundit të përfundimit”, – shtoi ai.

Ndreca theksoi se “banorët që kanë zgjedhur të marrin fondet e të ndërtojnë banesat privatisht, sot janë likuiduar dhe kanë nisur procesin e  rindërtimit të banesave e tyre. Ato familje që jetojnë në banesa të tjera për shkak të prishjes së banesave të tyre u paguhet qiraja e këtyre banesave deri në momentin kur do të rikthehen ne shtëpitë e tyre”.

“Lagjja “Besëlidhja”, lagjja “Gurra” po transformohen rrënjësisht edhe infrastruktura rrugore rreth këtyre lagjeve për shkak të rindërtimit”, – tha Ndreca./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.