“PS pranë njerëzve me zemër e me punë në tërmet e pandemi”/ Bushati: Në qarkun e Tiranës fitojmë 20 mandate

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ervin Bushati, kandidati për deputetit i PS-së në qarkun e Tiranës u shpreh se “Partia Socialiste është organizmi më i madh në Shqipëri dhe në 25 prill është dita kur do të shohim mbështetjen”.

Gjatë një interviste televizive, Bushati tha se”Partia Socialiste përveçse është partia më e madhe në Shqipëri është në qeverisje dhe ka një rol që të jetë në krye të punëve, duhet të balancojmë dhe të jemi në punë, në sfidat që kemi me tërmetin dhe pandeminë”.

Fushata në fakt, tha Bushati ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe për shkak të situatës që kemi kaluar ne dhe gjithë bota dhe është bërë më personale, më direkte,  nuk janë më ato mitingjet masive, koncertet nëpër lagje, por janë në forma të tjera deri tek ato virtualet që mundëson sot teknologjia.

“Deri sot mendoj se kemi pasur sfidë të madhe, por gjërat po ecin mirë. Rindërtimi dhe procesi i vaksinimit po ecin me ritme të përshpejtuara dhe mendoj se me këto ritme që kemi kapur shumë shpejt, deri në fund të majit dhe fillim të qershorit, shoqëria dhe ekonomia nuk do të ketë nevojë më për kufizimet dhe mund t’i rikthehemi jetës tonë të përditshme. Kjo është një fitore e madhe, pasi para një viti situata ishte krejt tjerët”, – theksoi ai.

Sipas tij, ecuria me këtë ritëm i vaksinimit të popullatës, kombinuar kjo dhe me ata që e kanë kaluar mendoj se në 60 ditët e ardhshme mund të kalojmë në imunizimin e popullatës dhe jetës normale.

Duke u ndalur në zgjedhjet e 25 prillit Bushati tha se, “Tirana është motori i ekonomisë, qendra sociale, kulturore dhe ka peshën më të madhe në parlament. 36 mandatet që vendosen në Tiranë do të përcaktojnë edhe fatin apo mënyrën sesi do të shkojnë zgjedhjet. PS ka synim të maksimizojmë votën dhe për këtë prej një viti e gjysmë jemi në fushatë të pandërprerë. Që në shator të 2019 ra tërmeti i parë, më pas i dyti në nëntor, pandemia dhe gjatë gjithë kohës kam qenë në terren pranë njerëzve në nevojë, pastaj duke u marrë me shkollat, çerdhet, procesin e Rindërtimit dhe është bërë një punë të madhe. Ne kemi punuar me zemër, dhe besoj që askush s’do të bënte më shumë se kaq. Është e pamundur që me këtë kombinim që patëm të pandemisë dhe tërmetit, të mendosh se një forcë tjetër do të bënte më shumë se kaq”.

Ai tha se, “Tirana ishte ajo që e dha ndryshimin e para në Shqipëri, me ish-kryebashkiakun Edi Rama sot kryeministër si një model ndryshimi dhe transformimi për gjithë Shqipërinë, ku gjithë qytetet donin të bëheshin si Tirana. Puna e mirë ka vazhduar është një kryeqytet që reflekton të gjithë punën e bërë  në të gjithë Shqipërinë dhe reformat që kemi ndërmarrë, në drejtësi, territoriale, në arsimin e lartë dhe të gjitha këto arritje marrin më shumë gravitet në Tiranë, ku qytetarët i kanë më të prekshme dhe patjetër që mendoj se, ne kemi marrë 18 mandate në zgjedhjet e kaluara, natyrshëm kemi një target të marrim 19 dhe shpresoj që me punën që kemi bërë mund të marrim 20 mandate deputetësh në Tiranë”.

Bushati tha se “listat e hapura në zgjedhjet e 25 prillit ka sjellë një sinergji të madhe, ku të gjitha forcat politike dhe kandidatët kanë shansin e tyre. Ishte një forcë e PS që bashkëpunojë me të gjthë forcat politike për të marrë më të mirën dhe me votat e të gjthëve është rakorduar që është një sistem shumë i mbarë”.

“PS është organizimi më i madh në Shqipëri, kemi 100 mijë anëtarë dhe ne kemi një sjellje tjetër për punën që bëjmë, por edhe për partitë e reja ka ardhur dita të promovohen dhe tregojmë forcat e tyre. Atë që kërkuan është që qytetarët të votojnë me emra të votohen të gjithë dhe patjetër që fiton ai që është më i miri”, u shpreh Bushati.

Bushati theksoi se “kjo situata e vështirë që kaluam na bëri të mendojmë se jemi të gjithë bashkë. Ne jemi garues të njëjtës shoqëri, jemi shqiptar dhe nuk duhet të shkohet në nivelin që të shihemi si armiq forcat politike. Shoqëria e shikon ndryshe edhe një forcë politike që sillet e papërgjegjshme. Po të shohësh PS respekton masat, janë të gjithë me maska, mbajnë distancë dhe hapja e fushatës ishte e menduar për të mos thyer asnjë rregull, ndryshe nga forcat e tjera që e kanë shkelur me të dyja këmbët, por është përgjegjësia e tyre”.

Bushati tha se “patjetër që zgjedhjet do të jenë të pakontestueshme, të gjitha palët politike janë ulur në tavolinë dhe kanë diskutuar. Por ne kemi edhe një përgjegjësit tjetër se duke qenë në qeverisje duke pasur edhe garancinë dhe sigurinë prej ligjit të shtetit, dhe si forca e parë politike, ne jemi të sigurt që do të fitojmë dhe na duhet një fitore e pastër kristal”.

“PS do të jetë forcë e parë në këtë vend. Ka qenë dhe do të jetë forcë e parë. Këtë e tregojnë sondazhet, takimet tonat dhe punët që kemi bërë. Ne jemi të parët që jemi të interesuar që të mos ketë kontestime dhe kemi bërë çdo lloj kompromisi me forcat politike për të akomoduar, pavarësisht peshës që kanë ata, vetëm që të shkojmë bashkë si shoqëri”, – u shpreh ai.

Ndërsa shtoi se, ndryshe do të jetë me një parti tjetër, që përpiqet të krijojë premisa që të thonë nesër, që ja ka qenë të manipuluara dhe po bëjnë gati letrën e dorëzimit të ankimimit të procesit kur të dalin humbës.

“Ne hymë si fitues, kemi ekip fitues, lista e PS në të gjitha qarqet, kryesohet nga një frymë e re dhe janë lista të mirëmenduara me menatalitet fituesi”, u shpreh ai.

“Ndryshe ndodh në partinë e dytë, PD po të shikosh ekipi në Tiranë është po i njëjti, nuk ka ndryshuar asgjë. Vazhdojnë 5-6 vende në tramvajin e opozitës për aleatin që ka qenë gjithë emrat e partive fantazëm dhe të njëjtët njerëz si Sali Berisha, Lulzim Basha, etj., që kanë qenë në Tiranë, pra kishin katër vite që të sillnin një listë re dhe nuk kanë sjellë asnjë ndryshim”, – deklaroi Bushati.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.