Paloka në Durrës: Po arnojnë rrugët dhe pickojnë kanalet me eskavator

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi Politik i PD për qarkun e Durrësit, Edi Paloka ka zhvilluar takimin e radhës me banorë të zonës së “Sektor Rinia” ku komunikoi me ta mbi problematikat e infrastrukturës së zonës.

“Në 8 vite më mirë se ju nuk e di askush se çfarë ka bërë kjo qeveri. Tani po arnojnë rrugën dhe me një ekskavator të vogël po pickojnë kanalin për të gënjyer njerëzit. Ajo rrugë në 8 vite do ishte bërë shumë herë, por tani duan t’u hedhin hi syve njerëzve”, tha Paloka.

Ai gjithashtu prezantoi disa pika të planit të PD-së, një plan i mirëmenduar nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë. Ai e cilësoi programin e qeverisë Rama, pa fantazi, ku vetëm premtohen projekte 3D.

“Ne kemi një program jo si ai i Ramës, që lëshon disa tullumbace. Në vend të na i zgjidhin problemet, ata bëhen vetë problemi. Janë me qindra dhe mijëra socialistë që kërkojnë largimin e tij një orë e më parë. Dhe ata kalojnë në të njëjtën rrugë si ju”, tha Paloka.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.