Mike Pence nënshkruan kontratë milionadollarëshe për dy libra

NJU JORK, 9 prill /ATSH-ANSA/ – Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka nënshkruar një marrëveshje milionadollarëshe për dy libra me shtëpinë botuese “Simon & Schuster”.

Sipas CNN, marrëveshja vlen midis tre dhe katër milionë dollarëve.

Botuesi ka premtuar se do të jetë “libri përfundimtar për një nga presidencat më të rëndësishme në historinë amerikane”.

“Libri i parë do të jetë autobiografia e Pence dhe do të trajtojë shumë momente thelbësore të administratës, nga kur Donald Trump e zgjodhi atë si partnerin e tij për stafetën presidenciale deri në betimin e presidentit Joe Biden, në janar”, bëri me dije “Simon & Schuster”.

“Jam mirënjohës që kam mundësinë të tregoj historinë e jetës sime në shërbim të popullit amerikan”, tha Pence në një deklaratë.

Ish-zëvendëspresidenti, i konsideruar si një nga kandidatët e pranueshëm republikanë për USA 2024, ka nisur një organizatë të re të quajtur “Advancing American Freedom” dhe më 29 prill në Karolinën e Jugut do të mbajë fjalimin e parë publik që nga fundi i administratës Trump, i organizuar nga Këshilli i Familjes Palmetto, një organizatë konservatore jofitimprurëse./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.