Mbledhjet e pranverës të FMN e BB/ Harmonizimi i politikës fiskale me atë monetare, ndikim në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në mbledhjet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore (BB), të organizuara virtualisht.

Në këto mbledhje marrin pjesë çdo vit, guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se, “ekonomia globale u rimëkëmb nga kriza me ritëm më të shpejtë sesa pritej në tetorin e vitit të kaluar, falë një përgjigjeje të jashtëzakonshme të politikave dhe progresit të shpejtë në zhvillimin e vaksinës. Megjithatë, parashikimet për rimëkëmbjen ekonomike ende mbartin shkallë të lartë pasigurie dhe ndryshojnë si në nivel vendor ashtu edhe ndërmjet vendeve, për shkak të hapësirave jo të njëjta për zbatimin e politikave individuale, strukturave dhe ngurtësive të ndryshme ekonomike, brishtësive paraekzistuese dhe aksesit jo të njëjtë në vaksina”.

Brishtësitë e konsiderueshme financiare mund të sjellin rreziqe, të cilat mund të çojnë në shtrëngim më të shpejtë të kushteve financiare në nivel global. Kriza mund të shkaktojë përkeqësim të përshkallëzuar të varfërisë dhe pabarazisë, ndërsa ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera të përbashkëta po bëhen gjithnjë e më shumë shqetësuese.

Gjatë këtij aktiviteti, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.

Tema kryesore e diskutimit të këtyre takimeve ishte ndikimi i pandemisë në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se që nga fillimi i pandemisë ky sektor ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar. Ai shtoi se aktualisht sistemi paraqitet me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti.

Rritja e kreditimit ka vazhduar, duke ndihmuar kështu me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe mbështetur vijimin e investimeve, ndërkohë që cilësia e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme, ku raporti i kredive me probleme është aktualisht në nivelin 8.15 %.

Fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit. Si sektori publik dhe ai privat kanë ruajtur aksesin në tregjet financiare ndërkombëtare.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmenden rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Guvernatori shtoi se progresi i vaksinimit të popullsisë jep shpresë për rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021.

“Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Sidoqoftë, përllogaritjet e parashikimeve makroekonomike janë të varura veçanërisht nga kohëzgjatja e pandemisë”, është shprehur ai.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Gjithashtu kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare për menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi, veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore shtuan se politikëbërësit duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë periudhës së tranzicionit të post pandemisë, duke i përshtatur politikat e tyre makroekonomike në mënyrë që të sigurohet dhe garantohet stabiliteti makroekonomik, qëndrueshmëria dhe rimëkëmbja graduale e ekonomisë.

Gjatë takimit, Guvernatori falënderoi përfaqësuesit e BB-së dhe FMN-së për asistencën e dhënë në vazhdimësi ndaj institucioneve kryesore në vend.

Gjithashtu, delegacioni i përbashkët shqiptar vlerësoi në veçanti edhe Instrumentin e Ndihmës së Shpejtë (Rapid Financial Instrument), si një mundësi mjaft e vlefshme, që i është ofruar Shqipërisë në kohën e duhur, për të adresuar nevojat e ndryshme që mund të lindin në këtë situatë pandemie.

Ky instrument mbështeti stimulin fiskal, lehtësoi ndikimin e tij në tregjet e brendshme financiare dhe sinjalizoi aftësinë e vendit për të aksesuar burime të ndryshme financimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.