Lungomare 2, këtë sezon turistik Vlora me plazh të ri publik

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Qyteti bregdetar i Vlorës ka pësuar ndryshime rrënjësore vitet e fundit, pas zbatimit të projekteve të ndryshme infrastrukturore.

Këto projekte e kanë transformuar qytetin bregdetar të Vlorës, nga qendra në periferi, nga vija bregdetare në hapësirën e blloqeve të banimit, deri në zonat rurale, në të gjitha njësitë administrative.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri publikoi sot një video nga projekti i Lungomare 2, që po zbatohet në Vlorë dhe pritet të jetë gati për sezonin turistik, ndërsa thekson se “Vlora nuk ndalet”.

Në Vlorë po merr formë Lungomare 2 bashkë me 1 kilometër plazh të kombinuar urban dhe natyral, pishinën olimpike e pishinën e fëmijëve, parkingun nëntokësor, shëtitoren e pishave, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit në standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje.

Vendosja e shkallareve që zbresin në det, muri anësor i punuar në detaje dhe konceptimi i shkallëve që lidhin trotuaret me pjesën e Lungomares i japin një tjetër dimension këtij projekti.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.