Kushi: Nuk do të kthehet më koha e universiteteve fantazmë që shisnin diploma pa vlerë

TIRANË, 9 prill/ATSH/ E ftuar mbrëmë në një emision televiziv, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi është shprehur se ligji për Arsimin e Lartë ka sjellë jo vetëm rritjen e cilësisë e arsimit, por edhe autonominë e universiteteve.

Në lidhje me deklaratat e Bashës mbi shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, Kushi tha se ndoshta ai mund t’i kthejë universitetet fantazmë.

“Ndoshta Basha mund të rikthejë edhe ato universitetet fantazmë, nuk e vë në dyshim që mund ta bëjë edhe këtë. Ne jemi krenarë për ligjin e Arsimit të Lartë. Natyrisht është diçka e re dhe duhet kohë deri sa të aplikohet dhe të zbatohet 100 % siç është në letër, por ky ligj, ju siguroj që është konsultuar me të gjitha universitetet, me të gjitha grupet e interesit dhe mori një kohë shumë të gjatë”, – tha ministrja Kushi.

Ajo shtoi më tej se në atë kohë ka qenë deputete dhe e di shumë mirë se vetëm diskutimi i këtij ligji mori shumë kohë.

“Grupet që ishin të ngarkuar për hartimin, ekspertë e pedagogë, kanë shkuar në të gjitha universitetet për të marrë sugjerimet, mendimet dhe opinionet”, – shtoi Kushi, duke nënvizuar se të gjitha ndryshimet që ia vlenin dhe ishin të përshtatshme u reflektuan në atë ligj.

Duke i cilësuar deklaratat e Bashës si politike, ministrja Kushi tha se ky ligj është një ligj i përafruar me ligjet e BE-së ku ne duam të aderojmë, por natyrisht i përshtatur me kushtet specifike të Shqipërisë.

“Jam kurioze nëse Basha do t’i kthejë edhe 22 universitetet të cilat shisnin diploma pa vlerë”, – tha Kushi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.