Kumbaro: Mandati i tretë, të vazhdojmë infrastrukturën rrugore dhe ujore në zonat rurale

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro tha se “Partia Socialiste ka bërë një punë të jashtëzakonshme për transformimin e të 7 bashkive të qarkut Gjirokastër, nga Memaliaj në Dropull”.

Në një intervistë televizive tha se “por shumica e transformimeve ka qenë në zonat urbane, pasi kur ne morëm pushtetin në 2013-ën ishin qytete të cilat ndonëse ishin në buzë të ujërave, të burimeve, të lumenjve nuk kishte ujë, nuk kishte infrastrukturë”.

“Sot të 7 bashkitë janë me ujësjellësa të rinj, me furnizim 24 orë, si Përmeti, Këlcyra, apo Gjirokastra dhe Libohova ku po përmbyllet, po kështu Dropulli, Tepelena dhe Memaliaj ku sapo hapëm një kantier të ri për furnizimin e mbi 60 % të pjesës së popullsisë rurale”, – tha Kumbaro.

Kumbaro u shpreh se, “synimi ynë është që në këtë mandat të tretë ne të zhvillojmë të njëjtin vizion, por në pjesën e fshatrave, janë 7 bashki ku pjesa blegtorale dhe bujqësore është shumë e rëndësishme. Fshati ka një rëndësi të madhe, ndryshimi i madh është se nëse para pak vitesh fshati ishte prodhues produktesh ushqimore për jetesë të mirëfilltë të banorëve, sot kemi kaluar në një stad tjetër”.

“Gjithmonë e më shumë flitet për agroturizëm, që do të thotë që blegtoria e bujqësia jo vetëm plotësojnë nevojat e zonës, por që kthehet një produkt atraktiv për të tërhequr banorë nga zona të tjera, për t’u kthyer në një destinacion turistik të një lloji të veçantë që të mos kemi vetëm turizëm deti, por edhe turizëm malor, natyrore, sporte, sporte ujore, turizëm historik dhe kulturor, por sidomos turizëm ushqimor. Dhe këtu agroturizmi është destinacioni kryesor”, – tha Kumbaro.

Sipas saj, tashmë fundjavat tani në bashkitë e qarkut Gjirokastër janë të mbushur me turistë shqiptarë ose të huaj.

“Kjo duhet mbështetur në mandatin e tretë me infrastrukturë rrugore dhe ujore. Në 7 bashkitë janë në proces kantiere ujësjellësish ruralë, që janë shumë të mirëpritur nga banorët e zonave”, – tha Kumbaro.

Duke folur për trashëgiminë kulturore Kumbaro tha se “para tri javësh filloi në Përmet restaurimi i qendrës historike. Ministria e Kulturës në 2016-ën e shpalli lagjen e vjetër qendër historike. Tashmë këtë qendër historike do ta kthejmë në njëjtin model si kemi investuar në Pazarin e Korçës, njësoj si qendra historike në Vlorë, Gjirokastër, Dhërmi etj.”.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.