Investimet në ujësjellës/ Delvina tashmë 24 orë ujë të pijshëm, më në fund pas 100 vjetësh


TIRANË, 9 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në ujësjellësin e Delvinës, e cila më në fund pas 100 vjetësh, do të ketë tashmë 24 orë ujë.

Rama tha se situata me ujin ishte një torturë prej shumë dekadash dhe tani mori fund edhe këtu si edhe në shumë pika të tjera.

“Tani ne kemi 24 orë ujë. Kemi rreth 120 kantiere që janë akoma në punë drejt përfundimit ose në proces dhe brenda vitit 2022 do të ketë ujë 24 orë për gjithë zonat e banuara urbane dhe gjithë fshatrat me intensitet banimi. Pastaj sigurisht do ketë probleme me pikat e tjera, por flasim për masën dërrmuese të popullsisë dhe plotësisht në bashkitë e vendit  do të jetë një çështje përfundimisht e mbyllur dhe nuk do të jetë më temë debatesh dhe temë fushatash”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo është një arritje domethënëse se shpeshherë njerëzit nuk e kanë parasysh se këtu nuk ka pasur ujë edhe në kohën e komunizmit 24 orë.

Ndërkohë deputeti i zonës, Damian Gjiknuri tha se “Delvina dy kërkesa themelore ka pasur para 4 vjetësh: ujin dhe rrugën”. “Thoshin po u bë uji nuk duam gjë tjetër. Tani uji u bë, edhe rruga po përfundon shumë shpejt kështu që dy janë bërë gjëra të mëdha për Delvinën dhe Sarandën”, tha ai.

Në ujësjellësin e Delvinës nuk investohej prej 50 vitesh ndërkohë që në kuadër të këtij investimi është ngritur depoja 900 m3 për furnizmin 24 orë të popullatës. Projekti mbulon 80 % të bashkisë ose rreth 10 mijë banorë të qytetit të Delvinës.

Ai përfshin ndërtimin e depos së re, 24 kilometrash rrjet shpërndarës, lidhja me familjarët, pajisja me matësa dhe ndërhyrja te burimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.