Investimet në Sarandë/ Rama: Proces që nuk mund të ndalet, njerëzit e punës e shohin politikën me syrin e interesit të tyre jo të tifozit

TIRANË, 9 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot tek investimet që ka përfituar gjithë zona e Sarandës, nga pedonalja e re e qytetit, tek ujësjellësi i Delvinës dhe investimet në Finiq e Konispol.

Në një takim elektoral të organizuar në pedonalen e Sarandës, Rama tha se “është kënaqësi të shijosh në këtë orë dhe temperaturë fantastike këtë hapësirë të re që po merr formën e vet përfundimtare, duke i dhënë Sarandës një vlerë të re”.

“Ky investim i ofron të gjithë vizitorëve një mundësi të re për ta shijuar këtë bregdet pa qenë të detyruar të shtyhen me njëri-tjetrin apo të përballen me një shëtitje që shoqërohet nga gropa dhe pengesa të lloj-llojshme, siç ishin ato që karakterizonin këtë hapësirë më parë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “është vërtet kënaqësi të mendosh se kjo hapësirë do të vihet në dispozicion të turistëve në një sezon të ri dhe të lehtësuar turistik, ku ne jemi duke punuar çdo ditë e natë me këmbëngulje të madhe që të këpusim sa më shumë zinxhirin e infektimeve”.

“Ne duam që pavarësisht kushteve të imponuara nga pandemia, sezoni turistik të jetë me shumë më tepër prurje turistësh dhe të ardhura për të gjithë ata që jetojnë me turizëm, që është burimi kryesor i pazëvendësueshëm i ekononisë të kësaj zone”, tha Rama.

Kryeministri u ndal po ashtu te gjithë investimet që janë kryer në Sarandë, duke nisur nga ujësjellësi i Devollit dhe deri tek investimet në Finiq e Konispol.

“Ne sot ishim në pikat e tjera të kësaj zone ku pamë nga afër ndryshimet që vazhdojnë nga uji 24 orë pas 100 vjetësh në Delvinë, ku po përfundon një investim shumë cilësor dhe së shpejti familjet do të kenë në çezëm atë që kanë pritur dhe iu është premtuar për vite e vite të tëra qysh se ata kanë lindur, tek pjesa tjetër, në zonën e Finiqit ku kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme. Pastaj në zonën e Konispolit ku sot prodhohet më shumë sesa në kohën e ashtuquajtur ‘të artë’ nga pikëpamja e prodhimit në raport me të sotmen, të kooperativave. Kjo, falë punës së jashtëzakonshme të atyre njerëzve, por të mbështetur në të gjitha aspektet, jo vetëm tek infrastruktura rrugore, por edhe të ujitjes, me investimin e madh të kryer për rezervuarin strategjik të Janjarit”, tha Rama, ndërsa shtoi se, “sot pamë edhe rezervuarin tjetër poshtë në Mursi”.

I gjithë ky ndryshim, sipas tij, “është një proces që vazhdon, që nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ndalet, sepse njerëzit e punës, njerëzit që e shohin politikën me syrin e interesit të tyre, jo me syrin e tifozit, e kanë shumë të qartë se ne po ngjitemi”.

“Ngjitja është shumë e vështirë. Maja e lartë që kemi caktuar si objektiv, sa më shumë ngjitesh aq më shumë thonë se maja sikur largohet, sepse kërkon sforco, këmbëngulje, durim. Ndaj shpeshherë vjen tundimi për të ndaluar, dorëzuar, kthyer, ndërkohë që në politikë ky tundim ushqehet me iluzionin e një ndryshimi që mund të bëj të shkosh te maja në një rrugë tjetër më të lehtë, e cila nuk ekziston”, vijoi Rama.

“Nuk ka një rrugë më të lehtë për t’u ngjitur në majë sesa të vazhdosh me këmbëngulje ngjitjen. Këto iluzione dhe rrugë më të lehta e kanë marrë në qafë kombin shqiptar më shumë se njëherë në historinë e tij nga koha e Haxhi Qamilit ku njerëzit rendën pas berihajit ,te koha më e re kur iluzioni se mund të bëheshin të pasur pa punuar duke dhënë një dhe marrë dy, i bënë të rendin pas Sudes, Xhaferrit, dhe e dimë shumë mirë si përfundoi”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.