Investimet do e bëjnë Sarandën polin më të rëndësishëm të turizmit/ Gjiknuri: Mandati i tretë për vijimin e këtij transformimi

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës,  Damian Gjiknuri deklaroi se investimet do ta bëjnë Sarandën polin më të rëndësishëm të turizmit në jugun e vendit.

Gjatë fjalës së tij në Sarandë, Gjiknuri tha se është i bindur se qarku i Vlorës dhe Saranda do bëjnë një rezultat të thellë, për arsye sepse në këto vite është demonstruar qartë se çfarë do të thotë ndryshim në qeverisje.

“Të gjithë e keni parë ndryshimin e prekshëm, sepse partitë kanë bërë shumë fushata në të kaluarën kanë premtuar shumë, por pak njerëz kanë guxuar të bëjnë ndryshime reale dhe praktikisht i gjithë qarku i Vlorës po transformohet. Saranda në veçanti, kjo shëtitore ku jemi është dëshmi e qartë e ndryshimit, e interesit që ka treguar qeveria socialiste për këtë vend, por njëkohësisht dhe dy vepra të rëndësishme  që unë do t’i lidh me njëra-tjetrën: rruga Delvinë-Kardhiq, e cila vitin tjetër do të përfundojë dhe do të jetë e aksesueshme për të gjithë, por dhe rrugën e Lumit të Vlorës unë nuk do ta shkëpus nga Saranda, sepse pjesa tjetër e bregdetit, ku një pjesë e juaj ka dhe origjinën, zona e Lukovës, do jetë shumë më mirë e aksesueshme dhe shumë njerëz do vijnë dhe do ta vizitojnë atë. Kjo do të sjellë një rritje të interesit për të gjithë këtë zonë, ish-Sarandën e dikurshme e cila do të jetë një motor i zhvillimit të turizmit”, tha ai.

Në vijim, Gjiknuri tha se ndërtimi i marinës së re, pse jo dhe i aeroportit në të ardhmen, do ta bëjnë Sarandën polin më të rëndësishëm të turizmit në jugun e vendit.

“Këto bëhen realitet, jo se u erdhi koha. Koha ka qenë dhe më parë. Disa thonë se kjo është detyra juaj. Edhe të tjerë e kanë pas atë detyrë, por pakkush e ka bërë. E ka bërë, sepse Kryeministri Rama pati një vizion për këtë qark, pasi ky qark ka potenciale të mëdha për thithjen e investimeve të huaja në turizëm, pastaj çdo gjë tjetër të bukur ia ka dhënë natyra. Shteti ka për detyrë të bëjë infrastrukturën, gjë që po e bën. Kryeministri jep vizionin, gjithçka tjetër ju përket sarandiotëve, vlonjatëve, gjithçka e kanë ata në dorë. Dhe që kjo punë e nisur të përfundojë ashtu siç duhet, ne patjetër na duhet dhe mandati i tretë”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se këtu në Sarandë u dhamë zgjidhje dhe problemeve të mbartura, siç ishte çështja e trojeve për ndërtim, i cili është një proces i cili nuk ka përfunduar, por të paktën është futur për zgjidhje dhe në shina. Ashtu si dhe çështja e regjistrimit të tokave, e cila mbase edhe ajo mund të kishte ecur më shpejt, por është futur në shina.

Gjiknuri tha se opozita do shfuqizojë ligjin e pronave, që do të thotë destabilitet.

“Po krahu tjetër çfarë na ofron? Na ofron shfuqizim të ligjeve, që do të thotë destabilitet dhe hapësirë për të gjithë çakejtë e pronave që ashtu siç kanë bërë më parë, ta bëjnë dhe tani. Ne përballë kemi një ekip të diskretituar që nuk ka treguar lidership, që nga Lulzim Basha që jo vetëm e bëri harakiri opozitën, imagjinoni çfarë mund të ofrojë ai në qeverisje. Për LSI nuk dua të flas se kandidat ne kemi Ilir Metën, nuk di kë kanë ata në listë, se i vetmi njeri që vjen në qarkun e Vlorës është Ilir Meta, ai e ka marrë përsipër ta drejtojë fushatën”, tha Gjiknuri.

“Ne duhet të shkojmë me njeriun dhe partinë që tregoi lidership edhe në momentet më të vështira dhe momente më të vështira janë kur ndodhin fatkeqësi. Kur ndodhin fatkeqësi, atëherë duhet dora e shtetit dhe dora e lidershipit të këtij vendi. Edi Rama e tregoi me vaksinimin dhe tërmetin, që po adreson një nga plagët që realisht ndodhi për shkak të fatkeqësisë natyrore”, u shpreh ai.

“Kështu që mendoj se sarandjotët kudo që janë e kanë mendjen e mbledhur që t’i japin një besim për mandat të tretë Edi Ramës dhe PS-së, që ta çojë deri në fund këtë proces”, përfundoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.