I moshuari nga Konispoli merr zgjidhje për pensionin dhe hipotekën e shtëpisë nga “Shqiperiaqeduam.al”/ Rama: Qajuni hallin të moshuarve, që s’dinë ç’janë punët online

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e një të moshuari në Konispol, i cili i është drejtuar dy herë platformës “Shqiperiaqeduam.al” për të zgjidhur problemin e llogaritjes së viteve të pensionit dhe të hipotekës së shtëpisë.

“Dëgjojeni dëgjojeni, dëgjojeni fshatarin nga Konispoli i largët dhe vazhdoni përqeshini fshatarët e qajuni hallin të moshuarve, që s’dinë ç’janë punët online”, tregon Kryeministri Rama.

“Plotësova moshën për të dalë në pension bëj dokumentet tek Sigurimet Shoqërore të Sarandës. Vete pas 15 ditësh. Më thonë mua 15 vite punë. Unë kisha 45 vite punë shteti. S’ke dokumenta më tha mua, kaq do të dalë. Unë e kam fajin kush duhet t’i gjejë dokumentet unë apo shteti? Unë dokumentat i kam në shtet. Mirëpo kisha dosjen e kuadrit. Vete tek drejtori, më thotë mua shko në arshivë. Kthehem përsëri më thotë ajo sekretarja, kaq më del mua”, tha i moshuari.

“Edhe unë direkt sa dola tek platforma bëj ankesën. Në 10 të darkës më marrin në telefon. Ç’është ky telefon në 10 të darkës? Më thonë nesër në mëngjes paraqitu në Sarandë. Paraqitem në Sarandë. Më thonë mua pse u ankove tek platforma? Po çfarë të bëja, i thashë unë, të rrija duke punuar 45 vjet të marr 15 vjet pension? Për 2 ditë më vjen shkresa nga Vlora. Më thonë t’u miratua edhe u njohën të gjitha vitet. Faleminderit platformës i thashë unë”, u shpreh i moshuari.

“Rasti tjetër ishte për hipotekën e shtëpisë. Tre vjet dokumentat edhe ai kishte bërë azhornime e kishte bërë me gjithë vëllanë shtëpinë. Më thonë mua 300 m2 do ndajmë të dy bashkë. Po si do ndajmë 300 m2. 470 janë këtu. E ndamë të dy vëllezërit. Unë shtëpinë e kam nga 1900. E kam pronë timen pronë të babait. Përsëri iu drejtova platformës më erdhi brenda 10 ditëve më erdhi përgjigjja më thonë ata hajde të marrësh hipotekën. Si u bë kjo për 3 vite s’u bë për 10 ditë u bë? Po ja tha u zgjidh problemi tha, nuk i kishit në rregull dokumentat e fillimit, siç e dinë ato marifetçinjtë, dhe u zgjidh problemi”, tha ai.

“Edhe tani kudo ku shkon ti u thua ‘o ma bëj, o platformën’”, tha Kryeministri Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.