Gjonaj, takime me banorët e njësisë 7 në kryeqytet: Vijimi i reformave me PS garanton qëndrueshmërinë e vendit

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Etilda Gjonaj, kandidatja me numër 7 në listën e PS për Tiranën dhe njëkohësisht ministre e Drejtësisë, vijoi fushatën elektorale në njësinë 7 duke zhvilluar takime komunitare me banorë dhe zgjedhës të kësaj zone.

Gjonaj shprehet mjaft e kënaqur me mbështetjen e zgjedhësve në të gjithë njësinë 7 në takimet e saj elektorale. Ministrja e Drejtësisë tregon se motivi që po e karakterizon fushatën e saj është se “Partia Socialiste meriton të ketë edhe një mandat për të vijuar të gjithë punët e mira të bëra deri tani për të marrë të gjitha frytet e reformave shumë të rëndësishme që kemi ndërmarrë, por njëkohësisht edhe për të garantuar atë që ne e themi më shpesh, qëndrueshmërinë e të ardhmes së vendit”.

“Qëndrueshmëri, duke filluar nga ajo ekonomike, duke filluar që nga ajo që ka të bëjë me shtyllat e shtetit të së drejtës, Drejtësia, Siguria, Lufta kundër Korrupsionit. Dhe qëndrueshmërinë e vendit, qëndrueshmërinë e të ardhmes së këtij vendi mund ta sjellë vetëm PS”, u shpreh Gjonaj.

Në takimet me qytetarët, Gjonaj u shpreh se “kemi bërë Reformën në Drejtësi, e cila nuk është më thjesht një kantier, sepse kemi godinat e ngritura, kemi institucionet e ngritura, kemi sistemet e ngritura, por duhet ende përsëri punë nga këto institucione që të impaktojë jetën e përditshme të qytetarëve në marrjen e drejtësisë”.

“Dhe kjo ishte arsyeja pse me paketën e fundit të Reformës në Drejtësi, të ndryshimeve ligjore që ne realizuam, ishte për t’i sjellë qytetarëve përshpejtimin e këtij sistemi të ri të drejtësisë”, tha Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj në bisedat e saj me zgjedhësit deklaroi se “Reforma në Drejtësi është një reformë ku asnjë moment, asnjë gërmë, asnjë nen, nuk preket po nuk patëm dakordësinë e partnerëve ndërkombëtarë”.

“Dhe nëse ne kemi ecur mjaft mirë me zbatimin e reformës në drejtësi kemi rezultatet e vettingut ku më shumë se 60 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar nga ky proces. Ku presim shumë shpejt që këta gjyqtarë dhe prokurorë të dalin para drejtësisë lidhur me pjesën e korrupsionit, apo lidhjeve të tyre me krimin. Ky është një rezultat i prekshëm.
Nëse qytetarët do të shkojnë në Gjykatën e Lartë të marrin një vendim, t’u shqyrtohet çështja, nuk do të duhet të presin më tashmë mbi 10 vjet, 15 vjet. Por në një periudhë shumë të shkurtër do të arrijnë të kenë një vendim nga Gjykata e Lartë, për sa i përket atyre çështjeve që janë stok derisa të shkojë në normalitet ku qytetari ta marri brenda vitit vendimin për çështjen që ka. E njëjta gjë është për gjykatat e rretheve, për gjykatat e apelit”, theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë dhe kandidatja e PS Etilda Gjonaj merr nga qytetarë pyetjen më të shpeshtë ‘Kur do shikojmë politikanë mbas hekurave? Kur do funksionojë SPAK?

“Ajo që them është se SPAK ka filluar të funksionojë. Tashmë edhe me ngritjen e BKH, ne presim rezultatet e para të luftës kundër korrupsionit. Të asaj kompetence që ne i lamë SPAK për t’i zvogëluar korrupsionin e vogël me qëllim që të jetë i fokusuar vetëm tek rastet korruptive të nivelit të lartë. Po gjithashtu edhe pjesën e krimit të organizuar. Megjithatë edhe me pjesën e reformës në drejtësi edhe me sigurinë, ju e keni parë dhe e jetoni cdo ditë që siguria është një çështje, e cila nuk ka diskutim”, shprehet Gjonaj.

“Nëse shumë vite më përpara, shpeshherë ishte pak e frikshme të dilje në mes të natës, të linit fëmjët të dilnin jashtë, sot nuk ka absolutisht asnjë lloj problematike, sepse siguria është e garantuar për çdo qytetar. Dhe aq më tepër në njësinë 7 e cila ka patur edhe ajo problematikat e veta në të kaluarën”, vijoi ajo.

“Siç ndërmorëm Reformën në Drejtësi, kemi ndërmarrë edhe reformën e tokës, e cila po gjithashtu ka patur një problematikë të theksuar me vite. Ku sot nuk kemi një pronar për një copë tokë, po kemi 3 pronarë, një me ligjin 7501, një me pjesën e atyre që kanë ndërtuar mbi këtë tokë dhe një pronar tjetër që na ka dalë me vendim gjykatë në mënyrë abuzive dhe nuk e dimë se nga kush. Janë 3 pronarë tokash të cilët do duhet shteti t’i kompensojë. Një që kërkon legalizimin dhe 2 të tjerët që kërkojnë kompensimin. Dhe kjo ishte një barrë jo e lehtë për ne. dhe në këto 8 vite me reformën e re për tokës që ne e kemi ndërmarrë, kemi arritur të trajtojmë të gjitha problematikat që kanë dalë në terren”, shprehet Gjonaj.

“E para kemi arritur që me një sportel të vetëm të kemi mundësinë t’u japim shërbim qytetarëve si për pjesën e legalizimeve, edhe për pjesën e kadastrës. E dyta kemi filuar të ndërmarrim disa procese që janë shumë të rëndësishme sidomos për ata që banojnë në pallate ku investitorët i kanë braktisur si pallate. Nuk kanë kryer të gjitha veprimet që duhet të merrnin për pjesën e kolaudimit të pallatit me qëllim që të certifikoheshin. Dhe tashmë banorët nuk mbeten më peng e veprimeve të paligjshme, të papërgjegjshme të këtyre investitorëve”, vijoi Gjonaj.

“Por mjafton që të kenë pëlqimin e përbashkët, të kenë konsensusin e përbashkët për të kryer të gjitha veprimet tashmë, me ndryshimet ligjore që kemi bërë, me një VKM që është miratuar para një viti e gjysmë. Ku sot edhe nëse do të shikojmë në këtë zonë, kemi 4 pallate kanë përfunduar duke marrë lejen e legalizimit dhe certifikatën e pronësisë. Dhe ku dy të tjera gjithashtu janë në proces. Dhe e njëjta situatë është në të gjithë njësinë 7. E njëjta situatë është në të gjithë territorin e vendit”, vijoi ajo.

“Kemi arritur që me reformën e pronës të kërkojmë më pak dokumenta se c’është kërkuar më përpara për t’ja lehtësuar jetën qytetarëve. Dhe është një reformë shumë e rëndësishme. Nëse Njësia 7 në 2013 ka patur 0 % banesa të legalizuara, sot ka mbi 70 % banesa të legalizuara. Padyshim kemi shumë punë për të bërë, dhe kjo është arsyeja që ne kërkojmë që të qeverisim 4 vjet të tjera, që të përfundojmë të gjithë procesin e reformimit të tokës, gjithë procesin e legalizimeve”, tha Gjonaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.