Fushë-Krujë/ Me mbështetjen e Skemës Kombëtare, ferma blegtorale rriti prodhimin e qumështit

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, gjatë një vizite në fermën blegtorale të Olsi Gjetës në Fushë-Krujë, vuri theksin në rritjen e cilësisë dhe sijgurisë ushqimore të prodhimit të qumështit, si faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe shitjen e sigurt të prodhimit.

“Takova edhe Rolandin, përgjegjësin veterinar të kësaj stalle dhish, ku janë 460 krerë dhi për të cilat ai bën shumë kujdes”, – u shpreh Ekonomi.

“Rolandi na tregoi që kjo fermë është ngritur me përpjekjen që ka bërë Olsi, por dhe falë mbështetjes që i ka dhënë shteti nëpërmjet skemave mbështetëse të AZHBR-së dhe ata ia kanë dalë me sukses të kenë këtë fermë”, – tha ministrja.

Ndërkohë dhe shërbimi ynë i veterinarisë, theksoi Ekonomi, është gjithmonë pranë për të ndjekur nga afër matrikullimin, vaksinimin për sëmundjet siç janë bruceloza dhe plasja por edhe për t’i bërë shërbime të tjera shëndetësore kur këto kanë nevojë

Mbështetja e dhënë nëpërmjet Skemave Kombëtare të AZHBR është e shtrirë në të gjithë vendin. Në Bilaj (Fushë-Krujë), Olsi Gjeta po zhvillon fermën e tij blegtorale me dhi të rracës siriane, të cilat ndiqen nga veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB).
Ndërkohë thirrja për aplikimin në Skemën Kombëtare 2021 vazhdon të jetë e hapur deri më datën 15 prill. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.