FOTO-VIDEO/ Aeroporti “Nënë Tereza” i kthehet normalitetit/ Qytetarët për ATSH: E drejta për të udhëtuar nuk mund të pengohet nga askush

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Situata në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës, duket se është kthyer në normalitet, pas problematikës së krijuar nga bojkotimi i punës nga kontrollorët e aeroportit të Rinasit.

Qytetarët të cilët kishin planifikuar të udhëtonin sot, nuk kanë patur asnjë problem për të ndjekur fluturimet e tyre e për të mbërritur në destinacion dhe ngërçi i krijuar nga e mërkura në drekë e deri dje, tashmë është zgjidhur sa i takon funksionimit të së vetmes portë ajrore të vendit tonë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër situatën në aeroportin “Nënë Tereza”, ku siç njoftoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, kontrollorët e “AlbControl” janë kthyer në detyrë dhe po ushtrojnë plotësisht funksionet e tyre.

“Nuk është e drejtë ta pësojnë qytetarët. E drejta për të udhëtuar është e gjithësecilit dhe kjo nuk mund të pengohet nga askush. Të gjithë kemi arsyet tona se përse udhëtojmë, dikush udhëton për hall, dikush për biznes, dikush për të takuar familjarët, dikush ka dhe fatkeqësi, prandaj nuk është e drejtë të bllokohet udhëtimi. Unë fatmirësisht kisha biletën sot dhe nuk kam probleme dhe tani do nisem drejt Gjermanisë, por për atë që ka ndodhur këto ditë, nuk duhet të ndodh, duhet të gjenden zgjidhje dhe jo të krijohen ngërçe”, – tha një qytetare për ATSH, e cila priste të nisej drejt Gjermanisë.

“Unë vetë nuk jam udhëtare, por kam të afërmit që po i pres. Jemi me fat se nuk jemi prekur nga situata e krijuar, sot gjithçka është normale dhe po pres të vijnë tani, janë brenda në terminal njerëzit e mi duke marrë bagazhet. Mendoj se është stres për një qytetar që kërkon të udhëtojë, të mbetet i bllokuar, ka kosto të mëdha ekonomike dhe gjithashtu dhe koha nuk kthehet pas. Nuk duhet të ndodhin këto situata”, – tha një tjetër qytetare për ATSH.

Gjithashtu ATSH ka takuar dhe qytetarë të cilët shprehin problematikat e hasura për shkak të atij bllokimi.

“Unë duhet të isha nisur për në Greqi dy ditë më parë. Jam këtu me motrën dhe mamanë, por nuk jemi nisur ende dhe po presim të nisemi sot, me shpresë. Ne kemi paguar këto ditë hotel nga xhepi jonë, kemi paguar për të ngrënë e për të pirë dhe biletën nuk na e rimburson kush. S’kemi asnjë faj, por jemi këtu dhe paguajmë kosto që s’na duhet, po ashtu dhe testi COVID-19, që na kërkohet atje. Urojmë të nisemi sot”, – tha një qytetar, që priste të udhëtonte drejt Greqisë.

Një qytetar që udhëtonte drejt Bergamos tha se nuk kishte avion që nisej drejt Milanos apo Bergamos dhe shpresonte të gjente vend në një avion të një linje tjetër drejt Italisë.

“Unë kam dy ditë që kërkoj të nisem, kam humbur kohë dhe tani që ka kaluar 72-orëshi i ardhjes sime këtu, duhet të bëjë dhe 14 ditë karantinë në Bergamo, se kështu është rregulli në Itali, është një kohë që nuk më kthehet pas. Tani këtu situata është normale, por s’kam avion që të niset drejt Bergamos, ose janë mbushur me pasagjerë, por pres të gjejë ndonjë avion që niset drejt një destinacioni tjetër në Itali”, – tha ai për ATSH.

/B. Naska-A. Fortuzi/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.