Fiskalizimi/ Gjatë muajit mars janë lëshuar mbi 250 mijë fatura

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se gjatë muajit mars janë lëshuar mbi 250 mijë fatura elektronike.

“Numri i faturave të lëshuara si invoice ashtu edhe me para në dorë, vetëm në javën e parë të muajit prill është 76154, të cilat janë lëshuar nga 1223 tatimpagues. Nga ku 4720 është numri i faturave të lëshuara ndaj Enteve Publike, ndërsa 352 ndaj subjekteve private. Numri i faturave me para në dorë është 71082. Lëshimi i faturave ka pasur një ecuri pozitive duke krahasuar shifrat edhe me 3 muajt e parë, ku në janar në total janë lëshuar 76566, në shkurt 143489, ndërsa në mars u lëshuan 250527”, deklaroi DPT.

Sipas të dhënave, deri më 7 prill në trajnimet e zhvilluara në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, kanë marrë pjesë 17652 pjesëmarrës, nga të cilët 1252 janë Ente Publike, 15035 tatimpagues si dhe 1365 kontabilistë.

Ndërkohë janë zhvilluar gjithashtu edhe 10 trajnime në bashkëpunim me shoqatat e ekspertëve dhe kontablistëve, me një shifër prej 1250 pjesëmarrësish.

DPT thotë se prej datës 1 mars inspektorët kanë kryer vizita informuese në terren, ku tatimpaguesve i është vendosur në dispozicion material dhe informacion i nevojshëm në lidhje me Fiskalizimin.

Në total në të gjitha DRT janë kryer 145 viizta, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen përgjatë gjithë procesit.

Fiskalizimi po implementohet në 3 faza: faza e parë, bizneset që kanë marrëdhënie me entet publike, në vijim bashkë me certifikatën elektronike mundësohet lëshimin e faturës elektronike. Faza e dytë fillon në 1 korrik dhe është marrëdhënie e bizneseve me njëri-tjetrin, por për ato transaksione që kalojnë nëpërmjet llogarive bankare dhe faza e tretë, në 1 shtator marrëdhëniet me para në dorë, ato që në fund kompletojnë të gjithë procesin. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.