Ekonomi me profesionistët e rinj në Durrës: PS ka një vizion, do ta jetësojë atë në shërbim të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve


TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, njëherazi kandidate e PS-së në qarkun Durrës, u shpreh se “mesazhi ynë është se PS ka një vizion dhe do ta jetësojë atë në shërbim të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve”.

Gjatë një takimi me profesionistë të rinj të Durrësit, Ekonomi tha se, “vizioni ynë vjen nga puna jonë. Në këtë qytet në fakt ne kemi treguar se ia kemi dalë vetëm me punë, sepse Durrësi, megjithëse ishte qytet antik nuk e kurseu aspak tërmeti, pandemia por ama të dyja këto beteja ne i bëmë dhe ia dolëm të bëjmë rindërtimin dhe vaksinimin”.

Në këtë qytet, vijoi ajo, nëse kemi thënë se kemi një vizion për ëndrrën tonë, ne dimë ta lexojmë atë dhe ta bëjmë të vërtetë dhe kjo bëhet me njerëz që besojnë tek gjërat që ka shkenca, besojnë tek mënyra sesi ndërtohet një proces pune, që kërkon kohën e nevojshme dhe nuk bëhet shkel e shko.

“Punët bëhen me kujdes që të jenë të qëndrueshme, ndaj këtu në Durrës, kemi një skuadër pjesë e së cilës është edhe një person që ka meritën e madhe të qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë që është Edi Rama”, – tha Ekonomi.

“Ne skuadra e Durrësit duhet të punojmë fort që PS ta kemi partinë që do të udhëheqi vendin në mandatin e tretë dhe besojmë se me profesionistët e rinj të gjitha ëndrrat dhe vizionet bëhen të mundura”, – u shpreh ajo.

Ajo solli shembullin se punët në qytetin e Durrësit kanë nisur kohë më parë, si në vepra infrastrukturore, energjetike, por ka edhe një vepër të madhe, tha Ekonomi siç është porti, që e bën Durrësin të jetë zemra e ndryshimeve dhe transformimeve të Shqipërisë.

“E rëndësishme është që PS beson fort tek energjia e të rinjve, dhe ju keni faktin që keni një Universitet që pësoi një transformim që erdhi si kërkesë e nevojshme e brendshme e studentëve dhe u reflektua menjëherë nga qeveria. Qeveria reagoi menjëherë ndaj kërkesave të studentëve duke treguar se besimi që ne kemi tek rinia, si forca që bën transformim është e padiskutueshme”, – tha Ekonomi.

Ajo shtoi se, “ekselentët e këtij universiteti kanë pasur shans për t’u ngjitur në krye të detyrave apo për t’u angazhuar në punë, ndaj mos bini pre e gjërave që nuk kanë qëndrueshmëri në momentin që shfaqen si projekte. Ju dini të punoni me mend dhe zgjidhni alternativën që gëzon vizionin”.

“Ndaj votoni PS, se është forca që ka vendosmërinë për të çuar përpara projektet”, – u shpreh Ekonomi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.