Brataj: Fushata po zgjeron hartën e infektimeve, 140 fshatra dhe qytete nga 105 para 20 ditësh

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj bën të ditur se edhe pse të gjithë indikatorët e pandemisë janë në ulje, sërish pritet një rritje e infeksioneve në fillim të muajit maj.

Në një intervistë në medie, Brataj u shpreh se ka një shtim të zonave të infektuara, ku nuk ishin regjistruar më parë raste infeksioni.

Për këtë ai shprehet se mund të ketë ndikuar edhe aktiviteti i partive politike që po bëjnë fushatë në të gjitha zonat.

“Në fillim të majit do të ketë një rritje të numrit të të infektuarve, por jo me ato përmasa që kemi parë deri tani. Listës së fshatrave i janë shtuar edhe disa të tjera dhe kanë shkuar në 140 fshatra dhe qytete, nga 105 që kishim para 20 ditësh. Është përhapur virusi dhe në këto zona dhe besoj se kjo lidhet me faktin se jemi në fushatë dhe partitë politike po paraqiten në të gjitha këto zona. Vatra kryesore në fillim ishte Tirana. Ikja nëpër qytete turistike dhe detyrimisht lëvizja e njerëzve që janë të infektuar, pavarësisht nëse janë të sëmurë apo jo, janë burim infeksioni, edhe kjo po ndikon”, tha Brataj.

Duke folur për procesin e vaksinimit, Brataj tha se po ecën me ritme mjaft të shpejta dhe se deri më tani janë vaksinuar 8.2 % e popullsisë. Ai i bëri apel edhe njëherë qytetarëve që të vaksinohen, duke theksuar se vaksinat i kanë kaluar të gjitha provat dhe se efektet anësore janë vetëm fiziologjike dhe nuk zgjasin më shumë se një apo dy ditë.

“Të gjitha vaksinat e kanë efikasitetin e tyre, sado mutacione të pësojë virusi, në vaksina po bëhen ndryshimet e duhura, por i them njerëzve që duhet të vaksinohen, vaksinat i kanë kaluar të gjitha provat. Nuk është parë asnjë ndryshim për të thënë që ka më shumë efekte anësore njëra apo tjetra. Fatmirësisht të gjitha efektet anësore kalojnë me një ditë apo dy dhe janë fiziologjike. Nuk duhet të përhapim lajmin e gabuar se kush e ka kaluar sëmundjen dhe kush është vaksinuar, nuk sëmuret më. Sëmuren, normal e kalojnë me forma më të lehta, por mund të sëmuren dhe të bëhen përhapës të infeksionit. Njerëzit duhet ta dinë se sa të kryhet imunizimi i të gjithëve, duhet të jenë më të kujdesshëm”, u shpreh Brataj.

“Jemi drejt rrugës së duhur, vaksinimi ishte drita jeshile në fund të tunelit dhe jemi në dalje të tunelit. Jemi një ndër vendet e para, ku 8.2 % e popullsisë është vaksinuar. Mendoj se jemi në fazën e fundit të pandemisë”, shtoi Brataj.

Në lidhje me një lehtësim të masave antikovid gjatë muajit të Ramazanit, Brataj tha se situata do të vlerësohet, ndërsa shtoi se qershori me shumë mundësi do të na gjejë pa masa kufizuese.

“Duhet edhe një javë për muajin e Ramazanit. Do të shohim indikatorët dhe nëse do jetë një kërkesë e tillë, do të shohim nëse do të jetë e mundur apo jo. Në qershor besoj se do të jemi pa masa kufizuese. Eksperienca mbi 1-vjeçare na tregoi shumë gjëra, edhe verën e kaluar pati shumë pak masa kufizuese dhe një rënie të të gjithë indikatorëve. Vera mendoj se është një faktor favorizues për dobësimin e virusit dhe për një qarkullim më të lirë të njerëzve, do të ishte një mënyrë natyrale e imunizimit”, tha Brataj.

Brataj foli edhe sa i përket efikasitetit të vaksinës kineze “Sinovac”.

“Në studimin e djeshëm, në Brazil tek mbi 67 mijë persona rezultoi se vetëm me dozën e parë, në ditën e 14 vaksina ishte 50 % efikase. Pas dozës së dytë patjetër që efikasiteti do të vijë në rritje dhe ky është një fakt shumë pozitiv”, u shpreh Brataj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.