Basha prezanton programin e PD për artin, kulturën dhe trashëgiminë: Do ndërtojmë Teatrin siç ishte

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha prezantoi sot programin e i PD, për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë.

Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të programit për artin dhe kulturën, kryetari i PD Lulzim Basha foli para artistëve për zgjedhjet e 25 prillit, duke u shprehur se, “në këto zgjedhje ngrihet vetëm një pyetje, nëse do të vazhdojmë në këtë rrugë, apo do të zgjedhim ndryshimin për një të ardhme më të mirë”.

“Unё dhe Partia Demokratike zotohemi solemnisht tё rindërtojmë Teatrin Kombëtar aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, tha mes të tjerash Basha.

“Në këto zgjedhje ngrihet vetëm një pyetje, një pyetje e vetme: do të vazhdojmë në këtë rrugë, në këtë rrugë 8-vjeçare të shkatërrimit, të nënshtrimit, të largimit nga Europa, të kolapsit ekonomik, shpirtëror, ekonomik dhe të gjithanshëm të shoqërisë apo do të zgjedhim ndryshimin, do të zgjedhim një të ardhme më gjë mirë duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian, një arritje që do të prekë dhe do të përmirësojë jetët e të gjithё shqiptarëve? Kjo ёshtё pyetja e vetme qё shtrohet nё kёto zgjedhje. Sot flasim pёr artin dhe kulturёn tonё. Pёr artin tonё kombёtar, pёr artistёt tanё. Si çdo fushё tjetёr, janё bёrё hapa pas nё kёto 8 vite. Kryeministri nё ikje i cili ka dështuar tё bёj ndonjё gjё ashtu si duhet, kёtu ka kryer njё krim monstruoz, e ka shembur teatrin tonё kombëtar. Pёr 8 vite ai e ka goditur rёndë buxhetin e artit dhe kulturёs shqiptare. Pa kulturë dhe pa art, Shqipёria nuk ka ëndrra. Rinia nuk ka ëndrra. Shqipёria nuk ka shpresë. Rinia nuk ka tё ardhme”, tha Basha.

Po ashtu, Basha shtoi se Shqipёria e 8 viteve tё fundit është njё vend pa vizion, pa shpresë dhe pa njё rrugëdalje.

“Ne kemi njё vend tё mrekullueshëm, Zoti na ka bekuar me tё. Me bukurinë mahnitëse, me njerëz jashtëzakonisht tё talentuar. Vendi ynë ka po kёshtu njё histori tё lashtё dhe tё mrekullueshme qё na bёn krenar. Nuk ka asnjё arsye se pse Shqipёria tё mos bёhet njё nga vendet lider nё botё pёr artin dhe kulturën. Nё veçanti nё kёtё dekadë ku shqiptarët janë bёrё lider nё botё pёr artin dhe kulturën, por ama fatkeqësisht vetёm kur largohen nga vatra e tyre. Pёr tё arritur kёtё, unё jam i vetëdijshëm se njё nga faktorët kryesor ёshtё qё Shqipёria tё ketë njё qeveri e cila kujdeset pёr qytetarët e saj dhe tё ardhmen e saj jo njё qeveri qё kujdeset pёr njё grusht njerëzish dhe pёr fatet e saj. Unё dhe Partia Demokratike zotohemi solemnisht tё rindërtojmë Teatrin Kombëtar aty ku ishte, ashtu siç ishte dhe i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Ne angazhohemi ta bëjmë artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të aksesueshme për të gjithë, jo vetëm si një e drejtë themelore e njeriut por dhe si një faktor themelor për një shoqëri më të shëndetshme, më tolerante, më gjithëpërfshirëse”, u shpreh Basha.

“Kur flas për artin dhe kulturën e kam fjalën për gjithë fushat, nga letërsia, botimi, bibliotekat, tek muzika, tek opera, tek baleti, tek teatri dhe tek kinematografia, tek rrjeti i muzeve dhe trashëgimia historike dhe kulturore, tek artet vizuale, piktura, skulptura, pra, në çdo fushë të artit. Piketat kryesore që ju dëgjuat sot janë angazhime konkrete që merren pas një konsultimi të detajuar me njerëzit e artit dhe kulturës, me artistët shqiptarë dhe ekspertët e administrimit të artit dhe kulturës, të cilët për fat të mirë Shqipëria i ka dhe i ka të niveleve më të mira europiane dhe botërore. Që nga financat, pra, financat në kuptimin e drejtpërdrejtë të financimit nga buxheti i shtetit për të cilat angazhimi i programit tonë është i qartë: arritja e menjëhershme e nivelit të financimeve të vendeve të rajonit për artin dhe kulturë, tek defiskalizimi apo thënë më qartë tek zbritja nga shpenzimet e të gjithë atyre sipërmarrësve, të cilët marrin për sipër sigurisht sipas parimeve të transparencës dhe normave europiane, të financojnë dhe sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin shqiptar. Pavarësia e plotë e institucioneve të artit dhe të kulturës, statusi i mbi 20 mijë individëve, artistëve shqiptarë dhe njerëzve që merren me artin dhe kulturën dhe aksesi, pra, bërja e aksesueshme për publikun në tërësi e në veçanti. Një angazhim i cili ndoshta nuk u potencua sepse ndërthuret me platformën tonë të arsimit, por që nuk ka vend më të mirë jo vetëm për ta shpallur, por dhe për të kërkuar ndihmën tuaj, të elitës artistike të këtij vendi”, tha ai.

Në vijim, Basha tha se arti dhe kultura nisin në djep, nisin që fëmijë.

“Ndaj duhet të kemi një sistem arsimor, e kam fjalën në veçanti për sistemin parauniversitar ku arti dhe kultura, pra, shpirti i fëmijëve, i vogëlushëve, i rinisë shqiptare të ketë mundësinë të edukohen me artin dhe kulturën jo në mënyrë spontanë as vetëm për shkak të prirjes, rastësisë, providencës, apo përkatësisë në një familje artistësh por në mënyrë sistematike duke bërë të mundur që përmes zgjatjes së orarit mësimor deri në orarin 16 nisi si një qëllim social që fëmijët e shqiptarëve të mos enden rrugëve ndërkohë që prindërit janë në punë. Gjatë kësaj periudhe ne të organizojmë resurset e nevojshme financiare për disa fusha që do të kenë të bëjnë me trupin, me mendjen dhe shpirtin e brezave të ardhshëm të shqiptarëve. Pra, me edukimin artistik në muzikë, në letërsi, në fusha të tjera të artit që do të kërkojë angazhimin e drejtpërdrejtë të artistëve shqiptarë dhe trajnimin dhe ritrajnimin e arsimtarëve tanë që arti dhe kultura të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve”, theksoi Basha.

“Në sistemin parashkollor nga klasa e parë, pse jo që nga kopshti, klasa e parë e deri në fund të gjimnazit të kenë mundësinë përmes këtij sistemi, të ndjejnë, përvetësojnë dhe të bëjnë pjesë të shpirtit të tyre tiparet e artit dhe të kulturës që do t’i bëjnë ata qytetarë më të mirë, më të devotshëm, më tolerantë dhe do të rrisin nivelin e artit dhe të kulturës në vendin tonë. Këto janë, pra, 5 piketat kryesore”, theksoi Basha.

“Por tani dua t’i bashkohem asaj që tha zoti Budina dhe që është themelore në misionin që Partia Demokratike dhe unë kemi marrë përsipër para shqiptarëve. Ne angazhohemi të ridimensionojmë rolin e integrimit kulturor në Bashkimin Europian duke promovuar fuqishëm vlerat tona identitare të trashëgimisë tonë kulturore, kreativitetin dhe kulturën dinamike përmes një bashkëpunimi kulturor kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar duke përfshirë diplomacinë kulturore si përqasja më e mirë, si përqasja më dinjitoze ndaj realizimit të objektivit tonë, për anëtarësimin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.

“Një qeveri e ekonomisë, siç do të jetë qeveria e ardhshme që do të zgjidhni në 25 prill. Por jo vetëm kaq, do të jemi një qeveri e dijes, një qeveri e artit dhe e kulturës. Zotohem para jush se me ndihmën tuaj, me angazhimin shpirtëror që sjell kujtesa e pashlyeshme e qëndresës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në të gjitha dimensionet e saj, që nga artistët më të shquar të kombit, deri te qytetarët më të thjeshtë të kryeqytetit dhe atyre që vinin nga qytetet e tjera. Zotohem se edhe unë do të jem jo vetëm një kryeministër i ekonomisë, por edhe një kryeministër i dijes, i artit dhe i kulturës në krahun tuaj dhe me ju në të gjitha sfidat dhe mundësitë që kemi përpara. Sepse kur kujdesemi për kulturën tonë, kujdesemi për të ardhmen tonë. Sepse një komb pa kulturë dhe pa art, është një komb pa të ardhme”, theksoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.