“Basha, kukull e kurdisur nga udhëheqësit realë të opozitës”/ Berisha dhe Meta, gati ta djegin Shqipërinë për pushtetin

TIRANË, 9 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Saranda se “Sali Berisha dhe Ilir Meta janë gati ta djegin nga e para Shqipërinë po të jetë nevoja për të arritur synimin e tyre”.

Në një takim elektoral nga Saranda, Kryeministri Edi Rama e konsideroi të habitshme skuadrën e opozitës në Vlorë, bashkë me premtimin e tyre më madhor, se do të shfuqizojnë ligjin e pronave.

“Kemi parë një personazh që nuk jeton as në Vlorë dhe as në Sarandë, askund në këtë qark por ka një lidhje shumë të fortë me këtë qark. Ka letrat e pronave të grabitura me shantazhe dhe me lidhje të shkurtra me pushtetin e Saliut. Mijëra e mijëra hektarë tokë nga ato që njerëzit autoktonë të gjithë këtij bregdeti kanë hequr picirin për t’i marrë, dhe ndërkohë që hiqnin picirin janë detyruar rëndom t’ua shesin zarbove të ardhur nga Tirana. Çuditërisht pastaj shfaqen si pronarë emra e mbiemra që nuk kanë asnjë lidhje me këtë trevë dhe shfaqen si autoktonë”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “nuk ka asnjë mundësi që të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër, pasi kush e bën këtë është budalla, sipas Ajnshtajnit”.

“Të përsëritësh eksperimentin e zgjedhjes së atyre që janë bërë bashkë tufë për të sulmuar plaçkën duke synuar pushtetin do të thotë një budallallëk i madh për t’u rikthyer edhe një herë prapa. Janë po ata dhe është fatkeqësisht po ajo mënyrë, me po ato ide, me po atë program e mishëruar në atë shprehjen e thënë paturpësisht se para 8 vitesh ndodhi një aksident, që populli lajthiti dhe i nxori ata nga zyra me Saliun në krye, që në krye ishte dhe është. Dhe tani kanë dalë në fushatë që të riparohet ajo lajthitje e që populli fajtor ta lajë fajin e vet duke i votuar ata me iluzionin se na paskan program dhe udhëheqës”, tha Rama.

“Çfarë udhëheqësi është Lulzim Basha që përveç se fle në këmbë dhe flet si pllakë gramafoni që rrotullohet nuk ka asnjë gjë në dorë. Një kukull e kurdisur nga udhëheqësit real të asaj opozite që janë Saliu dhe Iliri. Janë ata që morën peng aeroportin e Rinasit, ata që janë gati ta djegin nga e para Shqipërinë po të jetë nevoja për të arritur synimin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ata i bashkon një ankth dhe pasiguri e madhe e humbjes përfundimtare të influencës së tyre mbi proceset e vendit, mbi të gjitha në procesin e drejtësisë”.

“Këtë e di gjithë Shqipëria, i madh e vogël. E dinë edhe demokratët pa diskutim, e dinë edhe vetë ata që janë pjesë e asaj tufe, e atij tabori krushqish që kanë nisur ta tërheqin edhe njëherë Shqipërinë pas Berihajit”, vijoi ai.

“Shqipëria sot është në luftë në dy fronte, për të zhdukur përfundimisht pasojat e tërmetit dhe për të nxjerrë jashtë armikun e padukshëm, duke lënë pas tunelin e gjatë sfilitës të pandemisë. Kjo është një luftë dhe duhet fituar deri në fund dhe nuk ndalet dhe aq më pak nuk i besohet drejtimi atyre që sa herë ju është dhënë mundësia të drejtojnë kanë rrezikuar ta fusin popullin në luftë kundër njeri-tjetrit, por një betejë të vetme për popullin dhe me popullin nuk e kanë fituar”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.