Balluku: Në këto momente trafiku ajror në Rinas ofrohet ekskluzivisht nga kontrollorë shqiptarë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri të ditur se, “në këto momente trafiku ajror në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë ofrohet ekskluzivisht nga kontrollorët e trafikut ajror shqiptar”.

Gjatë një interviste televizive, Balluku shpjegoi se “sigurisht në momentin e bllokimit të trafikut ajror nga greva e kontrollorëve, ne i kemi kërkuar dhe i jemi drejtuar disa agjencive në Rajon por edhe Eurocontrol, i kemi kërkuar suport në momentin e parë, ku pa asnjë njoftim filloi greva e paligjshme. Kemi marrë përgjigje pozitive, si nga pala turke dhe ajo greke, por nuk ka qenë i nevojshëm operacioni nga ana tyre, pasi janë kthyer në punë kontrollorët e trafikut ajror shqiptar”.

Balluku tha se “nëse do të vijnë kontrollorët e huaj nuk do të paguheshin, sepse nuk bëhej fjalë për pagesë, por për mbështetje nga dy agjencitë e trafikut ajror”.

“Kemi marrë edhe një e-mail nga kompania e trafikut ajror të Maqedonisë së Veriut, e cila është shqiptare, ku na shkruan për të njëjtat problematika, por që sigurisht kontrollorët në Maqedoninë e Veriut nuk e kishin braktisur punën. Por që edhe ata kishin ulje të pagave dhe në pamundësi edhe për shkak të Covid. Pamundësi që ne kemi pasur në këto momente, pasi 37 kontrollorë u përfshinë në fillim dhe më pas u bënë 48, sepse një pjesë e kontrollorëve të tjerë, ka qenë në pamundësi fizike reale. Pra jo nga kjo e stresit e deklaruar në grup, por disa kanë qenë me raport për shkak të Covid dhe disa të pamundur për shkak të postcovid”.

“Kështu që është një moment i vështirë në të gjithë botën për sa i takon trafikut ajror, ka rënë ndjeshëm fluksi i fluturimeve në Shqipëri 57 %, në Maqedoninë e Veriut 44 %, kështu është një efekt që tregon se nuk fluturohet më si fluturohej në 2019-ën”, – tha ministrja.

Balluku thekoi se, “aviacioni nuk sanksionohet as nga qeveria e Shqipërisë, as nga ajo e Italisë dhe as nga ajo e Gjermanisë. Asnjë qeveri nuk ka lidhje me aviacionin, i cili është ndërkombëtar dhe aplikon rregulla ndërkombëtare”.

“Trafikut ajror i ndalohet me ligj të bëjë grevë, dhe që kjo është grevë nuk e dyshon askush, dhe këtë çështje duhet ta gjykojë drejtësia”, tha Balluku.

Balluku theksoi se, “ajo që ndodhi tregon për papërgjegjshmëri të lartë dhe shprehja që ‘ju nuk na zëvendësoni dot dhe do të mbyllim hapësirën, na sillni lekët’, i ktheu në një grup tregtarësh që nuk janë ata që u shfaqën nëpër ekrane”.

“Qeveria dhe shteti shqiptar nuk ka asnjë marrëdhënie financiare në vendimmarrje të Albcontrol. Albcontrol menaxhohet 100 % me fondet e ardhura nga përdoruesit e hapësirës ajrore. Shteti është 100 % aksioner dhe nuk ka asnjë ndërveprim financiar”, – deklaroi Balluku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.