Albcontrol në normalitet të plotë, plani i pengmarrjes dështoi / Balluku: Kontrollorët rikthehen në punë

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Albcontrol është rikthyer në normalitet të plotë.

Sipas ministres Balluku, kontrollorët janë rikthyer në punë pas apelit të bërë nga qeveria.

“Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë, janë në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi”, deklaroi ministrja.

Përgjatë dy ditëve, 7 dhe 8 prill, 38 kontrollorë të kullës së kontrollit ajror deklaruan paaftësi në punë pasi pretenduan se ndjeheshin të stresuar për shkak të uljes së pagës së tyre në kushtet e pandemisë.

Por, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mori masa për të rinisur trafikun ajror për fluturimet esenciale që dje, ndërsa sot kanë nisur edhe fluturimet komerciale.

Prokuroria ka nisur hetimet mbi çështjen. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.