“360 vendime të dhëna nga organet e Vetingut, 59% largime nga sistemi”/ Manja: Reforma në Drejtësi, përpara nga vullneti jonë dhe i partnerëve ndërkombëtarë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kandidati për deputet i PS në qarkun e Tiranës, Ulsi Manja deklaroi sot në një intervistë televizive se, “reforma në sistemin e drejtësisë, ka shkuar përpara vetëm falë vullnetit të kësaj mazhorance dhe partneritetit me bashkautorët e Reformës në Drejtësi, SHBA dhe BE”.

I pyetur për Reformën në Drejtësi, Manja u shpreh se, “Reforma në Drejtësi është kryereforma e këtyre 30 viteve në Shqipëri, dhe sigurisht nëse do flasim për vullnetin për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi, unë e them me krenari që është një reformë që bën krenare PS në këto 8 vite qeverisje dhe çdo koleg timin në parlament që e ka përdorur votën për Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj”.

“140 deputetë kanë votuar vetëm ndryshimet kushtetuese dhe PD ka votuar vetëm njërin nga ligjet e reformës në sistemin e drejtësisë që është ligji për SPAK-un. Nuk ka votuar asnjë nga paketa kryesore të ligjeve të Reformës në Drejtësi, përfshirë dhe ligjin e Vetingut. Dhe përgjatë gjithë kohës opozita ka qenë në front kundra zbatimit të reformës në drejtësi”, tha Manja.

“Sot në këtë moment që flasim konstatojmë me kënaqësi që është ngritur e gjithë arkitektura e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë dhe drejtësia e re është në veprim. Askush nuk mund ta ndalojë më zbatimin e Reformës në Drejtësi, kjo edhe për meritë të bashkautorëve, sepse që në fillim u konceptua si reformë kushtetuese. Dhe një nga arsyet që reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të pengohet nga askush është edhe partneriteti me SHBA dhe BE”, tha Manja.

Manja siguroi se, “është zero shansi për ta zhbërë reformën në sistemin e drejtësisë” dhe për këtë, theksoi ai “shqiptarët duhet të jenë të qetë sepse cilado mazhorancë të vijë pas 25 prillit shanset për ta zhbërë reformën në sistemin e drejtësisë janë zero”.

Sa i përket ecurisë së Vetingut dhe SPAK-ut, Manja tha se, “Vetingu është histori suksesi. Sot kemi 360 vendime të dhëna nga organet e Vetingut, ku 59 % e vendimeve të dhëna janë largime nga sistemi i drejtësisë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe vetëm 41 % e 360 vendimeve janë konfirmime në detyrë. Ndërsa SPAK-u, sot jemi në fazën e testimit të grupit të parë të hetuesve të BKH-së dhe SPAK-u është në punë”.

Manja tha se, “rezultatet që presim nga SPAK-u janë proces. Për këdo që e njeh sistemin prokurorial dhe hetimin penal, rezultatet që priten nga SPAK-u nuk mund të konceptohen në një kohë relativisht të shkurtër pa u ngritur akoma dhe BKH që është krahu i rëndësishëm, krahu i djathtë i Prokurorisë së Posaçme”.

I pyetur se cila është çështja më e rëndë korruptive që do veçonte kur PD ka qenë në pushtet, Manja tha se, “gjatë qeverisjes 8-vjeçare të PD ka patur shuëm raste të tilla, por unë do veçoja tre prej tyre që në fakt janë të kallëzuara dhe të hetuara nga drejtësia. Është çështja e Rrugës së Kombit, ku bëhej fjalë për një abuzim prej 250 milionë euro të shpërdoruara në ndërtimin e Rrugës së Kombit. Çështje e kallëzuar e hetuar nga drejtësia por që u mbyll me procedurë dhe sot kryetari i opozitës Lulzim Basha i shpëtoi drejtësisë me procedurë”.

“Pastaj është çështja CEZ-DIA. Edhe kjo një çështje e kallëzuar dhe hetuar nga drejtësia. Edhe në këtë çështje përsëri ku kishte një mori zyrtarësh të kohë të akuzuar për këtë çështje, përsëri çështja u mbyll dhe zyrtarët i shpëtuan drejtësisë me procedurë”, u shpreh Manja.

“Edhe një rast i tretë që është çështja e privatizimi të kompleksit Partizani që lidhet me pronat në Shqipëri dhe që për hir të së vërtetës gjatë qeverisjes së PD, çështja e pronave ka qenë çështja më sensitive abuzimet me pronat. Kjo çështje u kallëzua, është hetuar nga drejtësia dhe tani është kallëzuar përsëri në SPAK dhe ne presim që SPAK të thotë fjalën e vetë”, tha Manja.

Mbi operacionin antiKÇK, Manja tha se, “në shkurt deri në dhjetor të vitit 2020 ka vepruar ligji, ligji i OFL-së. Rezultatet e këtij ligji janë këto 535 praktika policore të verifikuara. 234 raste të referuara në SPAK. 105 vendime të Gjykatës Speciale për 614 pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara për 78 grupe kriminale në Shqipëri. Këto janë rezultatet spektakolare në një kohë kaq të shkurtër të ligjit të OFL-së. Sigurisht pjesë e këtij procesi kanë qenë edhe gjyqtar dhe prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë, por që ne e kemi bërë të qartë Vetingu është proces administrativ. Asnjëri nga gjyqtarët dhe prokurorët e larguar nga Vetingu nuk ka imunitet karshi ndjekjes penale për pasuritë që nuk i justifikojnë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.