Vaksinimi duhet shoqëruar me distancim/ Mbyllja mund të shkojë në orën 22:00, frymëmarrje për Ramazan

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një emisioni televiziv, mbrëmjen e sotme ka nënvizuar se i ka sugjeruar Komitetit të Ekspertëve të ngushtojë orarin e masave kufizuese, duke e çuar atë në orën 22:00 në fillim të periudhës së Ramazanit për t’u solidarizuar edhe me komunitetin musliman.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo nuk duhet të sjellë ulje të vigjilencës, pasi masat duhet të respektohen me patjetër.

“Unë sot isha me ministrin e Turizmit dhe Kulturës të Turqisë, që erdhi në bazë të programit që kemi bërë me presidentin për çka kemi rënë dakord në Ankara në janar dhe kemi një program të veçantë për Beratin dhe Gjirokastrën. Nesër ai do jetë në Divjakë për të parë aty gjithë atë zonë në funksion të një projekti të madh për turizmin”,- tha Rama.

Rama u ndal te masat kufizuese të diktuara nga pandemia.

“Turqia është e hapur komplet, edhe pse përqindja e të vaksinuarve është e vogël në krahasim me popullsinë. Hapja ka sjellë rritje të numrave. Kishin rreth 9000 të infektuar, ndërsa tani janë rreth 45 000 mijë të tillë. Efekti i vaksinës është i jashtëzakonshëm pasi jo vetëm këput zinxhirin e infektimit. Të vaksinuarit jo të gjithë janë të paprekshëm nga COVID-19 por vaksina është 100 % efektive për sa i takon ruajtjes së jetës”,- tha Rama.

“Rritja shumë e madhe e numrave të të infektuarve në Turqi, nuk është shoqëruar me hospitalizime apo humbje të jetëve. Kjo është e dhëna fantastike e vaksinimit. Sot akoma ka njerëz që ankohen, pse nuk shtyhet ora. Pse deri në orën 20:00? Unë për këtë kam pyetur dhe kam komunikuar edhe me Komitetin e Ekspertëve për këtë vendim, dhe më sqaruan se vaksinimi duhet shoqëruar me distancim. Prandaj acarohem dhe nuk arrij të mos reagoj kur shoh dasmat e infektimit”, – tha Rama.

“Çdo orë që fitojmë sot, është një kohë që fitojmë nesër. Natyrisht me vaksinimin e mësuesve është bërë një hap shumë i rëndësishëm. Tani nis Ramazani, ka një pjesë të ritualit të Ramazanit, që lidhet me orën 22:00. Ministri turk po më thoshte që numrat janë rritur shumë e mund të ndodhë e kundërta dhe që pikërisht për shkak të Ramazanit, do të bëhet një ngushtim dhe unë kam kërkuar që t’ju japim besimtarëve dhe një frymëmarrje, ku përfitojnë edhe të tjerët, por duhet të jemi të kujdesshëm. S’duhet ta sabotojmë vetveten, pasi s’kemi arritur atë masë vaksinimi, që mund ta quajmë veten të mbrojtur. Sezoni turistik shumë i lehtësuar patjetër. Deri në korrik, deri në fund të qershorit me planin tonë, do kemi bërë vaksinim intensiv”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.