Thesare të rrezikuara nga braktisja/ PS bëri për trashëgiminë kulturore më shumë se të gjitha qeveritë e mëparshme bashkë

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Dropulli se, “me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme dhe shtrëngesat e mëdha të imponuara nga një trashëgimi shumë e rëndë e keqqeverisjes, ne sidoqoftë arritëm të bëjmë për trashëgiminë tonë kulturore më shumë se të gjithë paraardhësit e qeveritë të mbledhura së bashku”.

“Shpreh kënaqësinë që më jepet mundësia të rikthehem në këtë platformë të mrekullueshme të natyrës me këtë xhevahir të trashëgimisë sonë kulturore në sfond, një nga ato thesare të trashëguara dhe për shumë vite të rrezikuara nga braktisja e injorancës në Tiranë”, tha Rama, në takimin elektoral në Dropull, të organizuar pranë kishës së restauruar.

Mirela Kumbaro meriton një falënderim të veçantë për përkushtimin, profesionalizmin dhe kokëfortësinë me të cilën ka ndjekur një punë jo të lehtë, tha Rama, sepse sipas tij, “kur plagët e së shkuarës janë të mëdha, kur e tashmja është e përqendruar te kurimi i atyre plagëve, gjithmonë kultura, arti dhe trashëgimia kulturore mund të mbeten në harresë, por ne nuk i lamë në harresë këto xhevahire, përkundrazi”.

Kryeministri theksoi se “ne bëmë çmos t’i vëmë në dispozicion të popullit jo thjesht si inventar të së shkuarës, por edhe si instrumente zhvillimi ekonomik, sepse sot kjo kishë është një arsye për të ardhur këtu dhe si kjo kishë ka plot të tjera rreth e rrotull në këtë qark dhe në gjithë Shqipërinë’.

Rama tha se, “ka plot arsye për të vizituar Gjirokastrën, Përmetin dhe të gjitha pjesët e këtij qarku duke dhënë mundësi të reja për njerëzit këtu që të ofrojnë mikpritje dhe të ngrenë infrastruktura mikpritje, të ngrenë bujtina dhe të fitojnë të ardhura çdo vit e më të konsiderueshme falë krijimit të këtij mjedisi mikpritës, që nuk ka vetëm trashëgiminë kulturore, por infrastrukturën dhe shërbimet esenciale”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.